Albanian Institute for Research (AIR), një organizatë që punon për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien, udhëhoqi projektin #PPPscan në Shqipëri, i cili u përqendrua në fuqizimin e gazetarëve, studentëve dhe shoqërisë civile për të monitoruar dhe përmirësuar kontratat publike-private në sektorin e shëndetësisë.
Projekti #PPPscan synoi të përmirësonte transparencën dhe mbikëqyrjen e Partneriteteve Publike-Private (PPP) në shëndetësi – një sektor ku kontratat komplekse shpesh kufizojnë kontrollin publik. I zbatuar në Tiranë dhe komunitetet përreth, projekti ndërthurte kërkimin ligjor, aktivizmin mediatik dhe ngritjen e kapaciteteve për të fuqizuar aktorë të ndryshëm.
Ndër aktivitetet kryesore ishin analiza e hollësishme ligjore e dy kontratave koncesionare PPP, e cila zbuloi rreziqe kritike që lidhen me dizajnin e kontratave dhe transparencën financiare. Në bazë të kësaj analize, AIR zhvilloi një metodologji dhe një listë kontrolli inovative për monitorimin e kontratave publike, duke i mundësuar organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve t’i mbikëqyrin ato në mënyrë efektive.
Projekti përfshiu gjithashtu gazetarë të rinj, studentë të drejtësisë dhe gazetarë profesionistë përmes fokus grupeve dhe një ëebinari për ngritjen e kapaciteteve. Këto sesione i trajnuan pjesëmarrësit në identifikimin e kontratave PPP, në gjetjen e informacionit të besueshëm dhe në monitorimin aktiv të tyre.
Një seminar me studentë promovoi më tej idenë e krijimit të një Observatori të Kontratave Publike, i cili synon të nxisë transparencë të vazhdueshme dhe mbikëqyrje mediatike. Observatori do të funksionojë si një strukturë e pavarur dhe e qëndrueshme, e frymëzuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare, si ato të Universitetit Bocconi. Ky observator do të plotësojë një boshllëk të rëndësishëm në Shqipëri duke monitoruar kontratat koncesionare dhe PPP, në shërbim të interesit publik dhe llogaridhënies demokratike.
Nëpërmjet #PPPscan, AIR ka hedhur themelet për një mbikëqyrje dhe avokim të vazhdueshëm publik për më shumë transparencë dhe do të vijojë punën në këtë drejtim. Për më tepër, gazetarët e rinj, studentët e gazetarisë dhe aktorët e shoqërisë civile do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në këtë rrugëtim, duke e kthyer njohurinë e fituar në veprim qytetar afatgjatë.

Projekti rajonal “Media Jonë: Një projekt i shoqërisë civile për të nxitur edukimin për median dhe aktivizmin, kundër polarizimit, në dobi të dialogut” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Këshilli i Medias i Kosovës, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti i Medias i Maqedonisë, Shkolla e Gazetarisë Novi Sad, Instituti për Paqe, dhe Bianet.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Institutit Shqiptar të Medias dhe SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.
