Nga Dr. Irena Myzeqari
Inteligjenca artificiale nuk është vetëm risia e radhës, por forca që po ndryshon natyrën e komunikimit, marrëdhënieve ndërpersonale dhe mënyrën sesi formësohet realiteti social në hapësirën publike. Ajo është akti i madh i çlirimit të informacionit nga çdo kufi dhe njëkohësisht akti i tij i fundit i kuptimit. Ne po hyjmë në një botë ku nuk ka rëndësi sa shumë dimë. Rëndësi ka vetëm si dhe sa kuptojmë.
Ku nisi krisja?
Modeli modern i komunikimit nisej nga premisa se informacioni mund të verifikohej, ndahej dhe renditej brenda një procesi racional. Mediat, shkenca, politika dhe të gjitha fushat, mbështeteshin te aftësia për të ndarë të vërtetën nga e pavërteta, faktin nga manipulimi. Habermasi ndërtoi idealin e tij komunikativ pikërisht mbi këtë logjikë: mirëkuptim të ndërsjelltë dhe konsensus të padetyruar, të mundësuar përmes argumentit.
Por inteligjenca artificiale e sfidoi këtë arkitekturë.
Në një mjedis ku tekstet, imazhet dhe videot mund të prodhohen pa burim, pa histori dhe pa kriter, faktet nuk janë më të qarta dhe verifikimi nuk është më i garantuar.
Krismën e kish paralajmëruar më herët Luhmann-i, i cili pohoi se moderniteti e mbështet thelbin e tij tek paraqitja dhe jo origjinaliteti. Ndaj, në këtë këndvështrim, informacioni ndalon së qeni një “diferencë që bën diferencën”, sepse fale IA përdoruesit mund të gjenerojnë aq shumë versione të së vërtetës, saqë sistemi nuk mund të zgjedhë më, duke shkrumbuar kështu kodin tradicional të komunikimit.
Modeli habermasian i komunikimit prezumon se hapësira publike na mundëson një ligjerim racional të justifikimit, i cili mbështetet tek ideja se faktet janë të qarta, burimet e ditura, publiku i mirëinformuar dhe manipulimet e kufizuara, të gjitha këto falë ezgistencës së dialogut. Ai thotë se konsesusi kërkon kushte ideale komunikimi, të cilat tashmë ne nuk i gjejmë dot, sepse në botën e deep fake-ve, ndikuesve/ influencer-save, emocioneve dhe tribalizmit, të dakortësohesh mbi faktet kthehet në një mision të pamundur. Ndaj, paradigma e tij sot bie, për t’i lënë fronin qasjes sistemike, në zemër të së cilës qendron ideja se “sistemet ndryshojnë mekanizmat e selektimit kur mjedisi bëhet tepër kompleks për strukturat ekzistuese.”
Dhe këtu krisi.
Sot, informacioni nuk e redukton dot kompleksitetin, përkundrazi po prodhon më shumë kaos, kaos i cili po na shpie drejt një paradigme të re komunikative. Sipas Luhmann-it, konteksti është “struktura e kufizimit të kontigjencës”, ose ndryshe, na tregon se kuptimi nuk vjen nga mesazhi, porse nga kufizimet që e bëjnë atë të ketë sens/ të marrë kuptim brenda një situate, një historie dhe një strukture të caktuar. Ndaj, tanimë, kodi i ri i komunikimit nuk bazohet tek dyzimi i/e vërtetë /i pavërtetë, por tek i kontekstualizuar/ i pakontekstualizuar, duke na çuar drejt një regjimi të ri komunikativ, në themel të së cilit është kontekti.
Luhmann-i thotë se komunikimi është i mundur për sa kohë lidhet me vetveten, me strukturat historike të sistemit, sepse ai “prodhon komunikim vetëm përmes formave që sistemi i njeh si të vetat”. Sot, IA po prodhon forma që sistemi nuk i njeh më, siç janë mesazhet pa një histori, videot pa një burim të qartë, opinionet e simuluara, argumentat e nisura nga premisa të gabuara, deri edhe tek narrativat e prodhuara nga algoritmet.
Prandaj, në këtë kakofoni, sistemi ka veç një shpëtim dhe plan mbrojtjeje, kontekstin. Kuptimi nuk rrjedh më nga mesazhi, por nga vendosja e tij në situatë, në histori, në strukturë. Automatikisht, konteksti kthehet në filtrin e vëtëm të mbijetesës së komunikimit, sepse ai i jep kuptim dhe peshë. Ai pushon së qeni sfond komunikativ dhe shëndërrohet në mekanizmin e reduktimit të pasigurisë, sepse në epokën digjitale, e vërteta nuk rrjedh nga fakti, por nga koherenca e tij me kontekstin.
Krisja si krismë në Shqipëri
Nisur nga paradigmat më lart, identikiti komunikativ i Shqipërisë reduktohet lehtësisht tek këto pika:
shumë informacion/ pak kontekst,
shumë komunikim/ pak selektim,
shumë opinion/ pak kritere.
Shqip- shqip, ku thërret kiameti!
Sipas Luhman-it, shoqëritë moderne e stabilizojnë kuptimin përmes institucioneve që filtrojnë informacion dhe nëse ne kemi institucione me besueshmëri të ulët, mediume të politizuara, mekanizma të dobët verifikimi dhe një publik emotiv dhe te polarizuar, automatikisht ne nuk do të kemi mundësi ta gjejmë të vërtetën, koherenca e të cilës fle tek strukturat sistemike.
Njëjtë, edhe kur veshim lentet e hapësirës publike për të kërkuar mirëkuptimin e ndërsjelltë, shohim se ligjerimi dominohet nga elitat, publiku është i fragmentuar dhe se rrjetet sociale kanë monopolizuar informacionin. Tanimë, fakti vlen më pak se emocioni dhe debati konstruktiv është zëvëndësuar nga polarizimi, duke e bërë legjitimimin e diskursit të pamundur, për shkak se kushtet ideale të dialogut nuk egzistojnë më.
Paradoksi shqiptar është se ka shumë informacion, por pak kuptim dhe në terma të një ekonomie të komunikimit, ka më shumë mesazha se sa mendim kritik. Këtu mungon konteksti historik dhe ai institucional e në fund gjendet pak ose aspak kultura e argumentit. Thënë ndryshe, komunikimi i tepërt me selektim të varfër shpie në entropi sociale dhe shpëtimi i vetëm prej kësaj gjendjeje, është kalimi në një paradigmë të re teorike, siç është ajo e kontekstit, e cila ngrihet mbi parimet e edukimit të thellë mediatik, rritjes së kapaciteteve të medias si edhe një kuptimësi më e thukët e interesave dhe strukturave sociale, të cilat mund të na mbrojnë ne si publik nga kaosi i informacionit.
Nga informacioni, tek konteksti
“Konteksti është struktura e kufizimit të kontigjencës: kushtet që përcaktojnë cilat interpretime janë të mundshme dhe cilat të pamundura për një mesazh, brenda një sistemi komunikimi”
Epoka e inteligjencës artificiale na vë përballë faktit se informacioni nuk është më kriter i së vërtetës. Konsensusi racional nuk është më i mundur, shoqëritë nuk mund të mbështeten te faktet, veçse atëherë kur ato simulohen dhe për rrjedhojë komunikimi mund të mbijetojë vetëm duke u mbështetur te konteksti. Në këtë realitet dhe rend të ri, Habermasi mbetet një aspiratë normative, ndërsa teoria e Luhmann-it tingëllon si diagnoza e saktë e kompleksitetit në të cilin po jetojmë.
Zyrtarisht, jemi dëshmitarë okularë të epokës ku kuptimi nuk buron më nga informacioni, por nga mënyra sesi sistemi e vendos informacionin brenda realitetit të tij. Epoka e informacionit mbaroi sepse informacioni u bë i pamatshëm. Kush nuk kupton kontekstin, thjesht nuk kupton dhe nuk sheh më realitetin, sepse në botën e re, nuk na mashtron dot ai që shpik faktin, por ai që na pamundëson kontekstin.
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.
