Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
No Result
View All Result
Home Media Development
Rishikimi i Kodeve të Etikës së Gazetarëve në Epokën Digjitale

Rishikimi i Kodeve të Etikës së Gazetarëve në Epokën Digjitale

in Media Development

Hapësira digjitale, rrjetet sociale dhe mjetet e bazuara në inteligjencën artificiale kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë mediat gjatë dekadës së fundit.

Aneta Durović dhe Hilma Unkić Begić

Kodet e etikës që ndihmojnë gazetarët dhe redaktorët të marrin vendime të rëndësishme profesionale dhe të zgjidhin dilema etike po rishikohen dhe po ndryshohen në të gjithë rajonin. Ndërsa grupet e punës përgjegjëse për këto ndryshime në disa vende kanë zgjedhur të rishikojnë me detaj tekstet ekzistuese, në vende të tjera fokusi është në nene të reja që përcaktojnë fenomene siç janë: e drejta për t’u harruar, menaxhimi i komenteve të audiencës ose të drejtat e autorit. Megjithatë, vëmendja më e madhe i është kushtuar rishikimit të kodeve në mënyrë që ato të përcaktojnë detyrimet e profesionistëve të medias kur përdorin mjete të inteligjencës artificiale.

Pavarësisht qasjes që kanë zgjedhur në këtë proces, profesionistët në Ballkanin Perëndimor që besojnë në rëndësinë e vetërregullimit konsiderojnë se kodet e etikës duhet t’i përgjigjen ndryshimeve që rrjedhin nga epoka digjitale. Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se dokumentet e shkruara paraqesin një praktikë të idealizuar të gazetarisë që është e vështirë të arrihet në mjedisin real dhe jashtëzakonisht stresues në të cilin punojnë gazetarët. Ndonëse kjo është diçka e vështirë, nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga të synuarit të një gazetarie të tillë, apo nga rishqyrtimi i vazhdueshëm i vendimeve profesionale.

Një studim i vitit 2023 mbi mekanizmat e vetërregullimit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi tregoi se kodet e etikës së gazetarëve në shumicën e vendeve bazohen në parime universale si interesi publik, saktësia, mbrojtja e privatësisë dhe ndalimi i gjuhës së urrejtjes. Megjithatë, vitet e fundit praktika e mediave ka ngritur një sërë dilemash që kodet etike kryesisht nuk kanë trajtuar dot. A mund të përdoret përmbajtja nga rrjetet sociale si burim informacioni? Ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e medias për komentet e audiencës? Si duhet të trajtohet përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari? Si mund të sigurohet një dallim i qartë midis përmbajtjes editoriale dhe reklamave? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që kanë nxitur rishikimin e kodeve etike në disa vende në të gjithë rajonin.

Transparenca në përdorimin e Inteligjencës Artificiale

Në Serbi, Kodi i ri i Gazetarëve hyri në fuqi në fund të vitit 2024, pasi u miratua nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë. Para kësaj, Kodi nuk ishte ndryshuar që nga miratimi i tij në vitin 2006, megjithëse Udhëzimet për Zbatimin e Kit në Mjedisin Online u publikuan në vitin 2016 dhe u rishikuan në 2020. Ndryshimet në dokumentet etike nuk ndodhin sipas afateve të paracaktuara, por kurdo komuniteti mediatik vlerëson se ka nevojë për to, shpjegon Milica Janjatović Jovanović, autore e një studimi mbi vetërregullimin e medias në Serbi në kuadër të iniciativës rajonale “Media Jonë” (“Our Media”).

Kodi i ri prezantoi një kapitull të veçantë mbi respektimin e dinjitetit, i cili përcakton udhëzime për raportimin mbi të miturit, viktimat e aksidenteve, personat me aftësi të kufizuara, anëtarët e pakicave kombëtare dhe komunitetin LGBT. Ai gjithashtu specifikon se gazetarët nuk duhet të raportojnë nga funeralet, përveç rasteve të figurave publike me rëndësi. Ndryshimet gjithashtu theksojnë pavarësinë e gazetarëve jo vetëm nga presionet politike, por edhe nga interesat e korporatave, dhe përcaktojnë më saktë mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.

Ndër ndryshimet kryesore janë përfshirja e së drejtës për t’u harruar, sqarimi i rregullave për përdorimin e përmbajtjes nga rrjetet sociale, rregullat për moderimin e komenteve dhe detyrimi për të informuar audiencën për mënyrën e moderimit të komenteve, si dhe përcaktimi i udhëzimeve për përdorimin e gjuhës së ndjeshme ndaj gjinisë. Janë përfshirë gjithashtu dispozita të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale, së bashku me detyrimin për të treguar kur përmbajtja është krijuar duke përdorur mjete të IA-së.

“Media duhet të përdorë inteligjencën artificiale në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe proporcionale gjatë krijimit të përmbajtjes dhe është plotësisht përgjegjëse për përmbajtjen e publikuar në këtë mënyrë. Media është e detyruar të informojë publikun kur përmbajtja mediatike është krijuar duke përdorur mjete të bazuara në inteligjencën artificiale”, shkruan Kodi i ri.

Pasi Instituti i Medias në Mal të Zi publikoi një studim mbi mekanizmat e vetërregullimit i cili evidentoi se Kodi i Etikës ishte i vjetëruar, në vitin 2025 në vend nisi një proces për rishikimin e tij, me mbështetjen e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe UNESCO-s, dhe ky proces vazhdon ende. Grupi i punës përfshin ekspertë vendas të medias, avokatë të popullit dhe gazetarë, me mbështetjen e ekspertit ndërkombëtar Joan Barata. Një draft i ndryshimeve u prezantua vitin e kaluar, i pasuar nga komente dhe sugjerime nga komuniteti profesional, ndërsa dokumenti tashmë është në fazën përfundimtare të rishikimit.

Sipas Mihailo Jovović, anëtar i grupit të punës dhe kryeredaktor i gazetës së përditshme “Vijesti” në Podgoricë, parimet themelore të dokumentit ekzistues nuk u vunë në diskutim.

“Themelët ishin vendosur mirë që në vitin 2015. Nuk kishte nevojë të ndryshoheshin parimet bazë, por të shtoheshin udhëzime më të sakta për fusha që janë zhvilluar ndërkohë”, thotë ai.

Ngjashëm me vendet e tjera të rajonit, ndryshimet në kodin e Malit të Zi trajtojnë parimet që lidhen me rrjetet sociale, burimet online dhe komentet, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Çelësi është transparenca. Nëse inteligjenca artificiale është përdorur në mënyrë të konsiderueshme në krijimin e produktit përfundimtar, kjo duhet të bëhet e ditur. Të gjitha standardet vlejnë njësoj, pavarësisht nëse përmbajtja është krijuar me ndihmën e teknologjisë apo plotësisht nga një gazetar”, thotë Jovović.

Ai thekson se inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i dobishëm në gazetarinë investigative dhe në verifikimin e fakteve, por përgjegjësia për përmbajtjen e publikuar mbetet gjithmonë tek njerëzit.

Edhe në Shqipëri, ekspertët e medias i kanë kushtuar vëmendje të veçantë rregullimit të përmbajtjes gazetareske të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar, krahas rishikimit të Kodit të Etikës, u hartuan edhe Udhëzime të detajuara për përdorimin etik të IA-së në mediat shqiptare. Procesi u udhëhoq nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen e IFEX, dhe grupi i punës përfshinte ekspertë vendas të medias si dhe ekspertin ndërkombëtar të etikës së gazetarisë Aidan White.

“Procesi i rishikimit u nxit nga përhapja e shpejtë e përdorimit të inteligjencës artificiale nga mediat, e cila solli sfida dhe dilema serioze për gazetarët dhe aktorët e medias. Për këtë arsye, u konsiderua e nevojshme që këto sfida të adresoheshin sa më shumë që të ishte e mundur”, shpjegojnë përfaqësuesit e Institutit Shqiptar të Medias. Ata shtojnë se gjatë procesit janë konsultuar dokumente nga organizata të ndryshme, përfshirë ato të miratuara nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Karta e Parisit për inteligjencën artificiale dhe gazetarinë, si dhe udhëzime nga organizata mediatike si Reuters dhe The Washington Post.

Përveç detyrimit për të garantuar transparencë gjatë përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale dhe për të siguruar mbikëqyrje njerëzore të procesit, mediave në Shqipëri u kërkohet gjithashtu të rishikojnë politikat e tyre për përdorimin e AI sa herë që është e nevojshme.

“Organizatat mediatike duhet të rishikojnë në mënyrë periodike politikat dhe udhëzimet e tyre lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale, për t’u siguruar që ato janë në përputhje me nevojat e audiencës dhe zhvillimet teknologjike”, shpjegohet në udhëzime.

Gjithashtu, nga mediat pritet që të bëjnë publike informacionet mbi politikat dhe procedurat e tyre në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale, duke informuar audiencën se si dhe pse përdoret ajo.

Megjithëse rishikimi i kodeve dhe hartimi i udhëzimeve të reja për përdorimin e AI në gazetari përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt rregullimit, studiuesit e medias në rajon pranojnë se vetëm këto masa nuk janë të mjaftueshme.

“Kjo nuk është diçka që mund të identifikohet dhe të zgjidhet menjëherë vetëm përmes rregullave. Procesi kërkon kohë dhe për këtë arsye shpresojmë të zhvillojmë një qasje praktike dhe trajnime për profesionistët e medias në të ardhmen”, thotë Ilda Londo, studiuese në Institutin Shqiptar të Medias, e cila ka analizuar mekanizmat e vetërregullimit në vend.

Profilet personale të gazetarëve në rrjetet sociale, e drejta e autorit dhe plagjiatura

Teksti i ri i Kodit në Mal të Zi sqaron gjithashtu detyrimet e gazetarëve në lidhje me sjelljen e tyre në profilet personale në rrjetet sociale.

“Në mënyrë konkrete, nuk do të ishte e përshtatshme që dikush të sillet në mënyrë joetike në një profil privat, për shembull duke përhapur gjuhë urrejtjeje, ndërkohë që është gazetar. Këto gjëra nuk shkojnë bashkë”, shpjegon Ranko Vujović, kryetar i Këshillit për Vetërregullimin e Medias në Mal të Zi.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e së drejtës për t’u harruar, e cila synon të mbrojë individët që nuk janë funksionarë publikë, por që mund të përballen me pasoja afatgjata për shkak të informacioneve të publikuara shumë vite më parë.

“Ne menduam se, duke pasur parasysh që interneti “kujton gjithçka”, ishte e nevojshme të ofrohej mbrojtje për njerëzit që nuk janë figura publike. Këta janë individë të zakonshëm që mund, për shembull, të kenë bërë një gabim në rininë e tyre ose të kenë kryer një veprim të paligjshëm, dhe gjurma mediatike e këtij fakti i ndjek gjatë gjithë jetës. Ideja është që t’u jepet mundësia për mbrojtje në rrethana të caktuara, veçanërisht kur informacioni nuk është më në interes publik, por vazhdon të ketë pasoja serioze për jetën e tyre private dhe profesionale”, shpjegon Vujović.

Dokumenti i ri trajton gjithashtu për herë të parë në mënyrë të detajuar çështjet e të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak të asaj që mund ta quajmë media “copy-paste”. Ky kod përcakton se përmbajtja nga media të tjera nuk duhet të përdoret pa leje apo të vidhet, gjë që është e përhapur në Mal të Zi”, thotë Jovović.

Përmbajtja e marrë nga rrjetet sociale duhet gjithashtu të verifikohet në të njëjtën mënyrë si burimet tradicionale, duke cituar burimin dhe duke kontrolluar autenticitetin e llogarive, fotografive apo regjistrimeve.

Udhëzimet shqiptare theksojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk i përjashton mediat nga detyrimi për të respektuar të drejtën e autorit. Redaktorët pritet të sigurohen që përmbajtja e krijuar në këtë mënyrë të mos përmbajë materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit, ose, nëse përmban të tilla materiale, të sigurohet që burimi të citohet siç duhet.

Shkëmbimi i përvojave

Në fund të shkurtit, përfaqësues të organeve të vetërregullimit dhe të mediave nga Ballkani Perëndimor dhe nga Turqia morën pjesë në një panel online mbi rishikimin e kodeve etike në rajon. Më shumë se 40 pjesëmarrës në aktivitetin “Modernizimi i kodeve të etikës të gazetarëve: perspektiva rajonale” shkëmbyen informacione mbi proceset e rishikimit të kodeve etike, me fokus të veçantë në Malin e Zi dhe Shqipërinë. Pjesëmarrësit nga Kosova thanë se Kodi i Etikës në vend u rishikua gjithashtu në vitin 2024 për të adresuar përdorimin e IA-së dhe se planifikojnë të hartojnë udhëzime shtesë për këtë çështje bazuar në rekomandimet e botuara së fundmi nga Federata Europiane e Gazetarëve.

Pjesa tjetër e Kodit të Kosovës ka mbetur e pandryshuar, ndërsa seksioni që lidhet me inteligjencën artificiale është përfshirë në paragrafin e dytë që trajton raportimin e saktë dhe të vërtetë. Përfaqësuesit e Këshillit të Shtypit të Kosovës theksojnë se rishikimet e shpeshta të kodit nuk janë të domosdoshme, pasi parimet bazë të gazetarisë mbeten të njëjta, edhe në epokën e inteligjencës artificiale dhe lajmeve të rreme.

Gjithashtu, një grup mediash në Kosovë nënshkroi një Kod për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë zgjedhjeve lokale në 2025. Nënshkruesit, mes të cilëve gazetarë, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u angazhuan të shmangin përhapjen e disinformimit, gjuhës së urrejtjes, ngacmimit dhe përmbajtjeve të tjera të dëmshme. Ata gjithashtu u zotuan të mos përdorin rrjete të koordinuara llogarish për të manipuluar diskursin online apo për të simuluar mbështetje të rreme.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, një rishikim i plotë i Kodit u krye në 2022. Në fund të vitit 2024, Këshilli për Shtypin dhe Mediat Online publikoi një Udhëzues për zbatimin e kodit, së bashku me një Listë Kontrolli të Etikës, një mjet që u mundëson përdoruesve të vlerësojnë në çfarë mase një tekst apo përmbajtje mediatike përputhet me dispozitat e kodit. Si burime shtesë për të mbështetur zbatimin e kodit, u botuan gjithashtu Metodologjia për Angazhimin e Mediave nga Organizatat Joqeveritare në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Udhëzuesi për Të Kuptuar Disinformimin.

Kodi i Etikës në Bosnje dhe Hercegovinë nuk e trajton përdorimin e inteligjencës artificiale, por sipas Këshillit për Shtypin dhe Mediat Online, kjo çështje mbulohet përmes dispozitave të tjera.

“Përmes nenit “Përdorimi i Teknologjive të Informacionit” ne e kemi parashikuar këtë, dhe ky nen mund të zbatohet plotësisht për sfidat moderne, duke theksuar përgjegjësinë editoriale gjatë përdorimit të çdo forme të teknologjisë së re. Në atë kohë nuk kishim inteligjencë artificiale, por ai ende mund të zbatohet sepse bëhet fjalë për një teknologji të re”, arsyeton Këshilli për Shtypin dhe Mediat Online i Bosnjes dhe Hercegovinës, duke shtuar se kodi gjithësesi do të përditësohet gjatë këtij viti për të përfshirë dispozita shtesë mbi inteligjencën artificiale.

Në Maqedoninë e Veriut, rishikimi i Kodit të Etikës po koordinohet aktualisht nga Shoqata e Gazetarëve dhe nga Instituti Maqedonas për Media. Versioni i ri i dokumentit do të pasqyrojë nevojat bashkëkohore të sektorit mediatik, me fokus teknologjitë e reja, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe aspekte të tjera moderne të praktikës gazetareske.

“Kodi planifikohet të promovohet në pranverën e 2026, pasuar nga një fushatë publike gjatë verës dhe vjeshtës për të edukuar si publikun, ashtu edhe profesionistët e medias mbi zbatimin e tij praktik,” shpjegojnë nga Instituti Maqedonas për Media.

Në Turqi, vend i cili gjithashtu ishte pjesë e studimit të madh rajonal mbi mekanizmat e vetërregullimit në vitin 2023, situata është më komplekse. Vitet e fundit, Këshilli i Shtypit dhe Shoqata e Gazetarëve të Turqisë kanë rishikuar kodet e tyre etike për të përfshirë detyrime që lidhen me rrjetet sociale, inteligjencën artificiale dhe sfida të tjera moderne teknologjike. Sinem Aydınlı, studiuese e medias nga Bianet, shpjegon se sektori i vogël i mediave të pavarura në Turqi ka gjithashtu një infrastrukturë etike të dobët dhe shumë të fragmentuar.

“Nuk ekziston një autoritet qendror përgjegjës për përditësimin e kodeve të etikës gazetareske. Standardet formohen kryesisht nga shoqatat profesionale dhe nga vetë mediat individuale, sipas iniciativës së tyre”.

Gjatë dy viteve të fundit, Shoqata e Gazetarëve të Turqisë ka organizuar konferenca me aktorë të ndryshëm për të diskutuar monopole digjitale, kërcënime të reja ndaj medias dhe përgjigje të mundshme me anë të politikave, çka ka rezultuar në një deklaratë. E njëjta shoqatë ka nisur gjithashtu Buletinin e Monitorimit të Etikës së Medias, i cili analizon raste konkrete gazetareske dhe përputhshmërinë me standardet etike.

Kodet e etikës të gazetarisë janë themeli i vetërregullimit të medias. Rishikimi i tyre është i nevojshëm në masën që gazetarët dhe redaktorët kanë nevojë për udhëzime për të punuar në rrethana të reja. Për këtë arsye, është e rëndësishme që organet vetërregulluese dhe komunitetet mediatike në rajon të vlerësojnë vazhdimisht nëse kodet e tyre kombëtare të etikës i plotësojnë këto nevoja.

Megjithatë, parimet themelore të profesionit do të mbeten të pandryshuara për aq kohë sa ekziston gazetaria. Profesionistët që i përvetësojnë me të vërtetë këto vlera do ta kenë shumë më të lehtë t’i zbatojnë ato përballë sfidave të epokës digjitale.

Projekti rajonal “Media Jonë: Një projekt i shoqërisë civile për të nxitur edukimin për median dhe aktivizmin, kundër polarizimit, në dobi të dialogut” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Këshilli i Medias i Kosovës, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti i Medias i Maqedonisë, Shkolla e Gazetarisë Novi Sad, Instituti për Paqe, dhe Bianet.

Ky artikull u realizua me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Contact Information

Telephone: ++ 355 42 229800
Email: info@institutemedia.org
Adress: Rr. Andon Zako Çajupi,
Tirana, Albania

Media Research

  • Media Legislation
  • Media Development and Independence

Media Monitoring

  • Crime and court reporting
  • Education and training of journalists
  • Corruption reporting
  • Reporting on social issues

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias