Instituti Shqiptar i Medias sjell në gjuhën shqipe Kartën e Parisit për IA-në dhe Gazetarinë — një dokument themelor që përcakton parimet etike për përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetari.
E hartuar me nismën e organizatës Reporterët pa Kufij (RSF) dhe e shpallur në Paris më 10 nëntor 2023, Karta është fryt i punës së një komisioni prej 32 ekspertësh ndërkombëtarë të gazetarisë dhe teknologjisë, të kryesuar nga fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Ressa. Ajo ofron një kuadër prej 10 parimesh që synojnë të mbrojnë të drejtën e publikut për informim të besueshëm në epokën e IA-së.
Karta rithekson se etika gazetareske duhet të udhëheqë mënyrën si mediat përdorin teknologjinë, se vendimmarrja njerëzore mbetet qendrore, dhe se transparenca, llogaridhënia dhe dallimi i qartë mes përmbajtjes autentike e asaj të krijuar nga IA janë thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut.
Për mediat shqiptare, ku sfidat e dezinformimit dhe të manipulimit të informacionit janë gjithnjë e më të pranishme, këto parime ofrojnë një pikë referimi të vlefshme për një përdorim të përgjegjshëm të teknologjive të reja.
