Një kalendar pritshmërish për të apasionuarit e politikave të Bashkimit Evropian
Alba Çela – Drejtore Ekzekutive e Institutit te Studimeve Nderkombetare dhe anetare e Grupit te Strategjise se WB6 mbeshtetur nga HBS
Politika e zgjerimit përshkruhet shpesh si një ndër politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian, e cila ka zgjeruar vazhdimisht një hapësirë paqeje, prosperiteti dhe drejtësie në kontinentin e vjetër. Ky vlerësim nuk qëndron vetëm në retorikë. Sipas të dhënave të paraqitura nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në Forumin e Zgjerimit 2025, zgjerimet e dy dekadave të fundit i shtuan Bashkimit mbi 100 milionë qytetarë dhe i shtuan ekonomisë së tij mbi 2 trilionë euro.
Politika e zgjerimit ka dhe një tjetër karakteristikë; ajo vjen me valë. Herë ka stanjacion që pllakos me vite dhe herë ka periudha të shkurtra intensive, ku çdo gjë duket sikur ndodh njëherazi. Si shembull mund të marrim vitet para agresionit rus në Ukrainë, kur vendet e Ballkanit Perëndimor lëngonin në dhomat e pritjes dhe soj-soj vogëlsirash bëheshin pengesë qoftë edhe për hapa simbolikë në procesin e integrimit, dhe t’i krahasojmë me vrullin e momentit gjeopolitik që shënoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë-Herzegovinen dhe shpejtimin e mbylljes së kapitujve me Malin e Zi. Kalimi nga një moment pritjeje tek një tjetër është nganjëherë marramendës.
Në radhën e pritjes ndodhen dhjetë vende aspirante, nëntë prej të cilave mbajnë statusin e kandidatit, pasi Gjeorgjia pezulloi njëanshmërisht negociatat në nëntor te 2024. Vrulli gjeopolitik u shpreh edhe në instrumente konkrete: Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, deri në 8 miliardë euro, lidhi financimin me reforma të matshme, ndërsa Ukraina dhe Moldavia u bashkuan në janar 2026 me hapësirën e lidhjeve telefonike pa tarifa shtese per roaming.
Një periudhë e tillë dinamike pritet të ndjekë këtë vjeshtë, duke i mbajtur vendimmarrësit, ekspertët dhe analistët të vëmendshëm ndaj ndryshimeve dhe risive që pritet të diskutohen në politikën e zgjerimit. Nga shtatori në nëntor, secili muaj do të sjellë diskutime dhe vendimmarrje me rëndësi të veçantë në aspektin e së ardhmes së kësaj politike, e cila ngërthen ne vetvete të ardhmen e gjithë kontinentit.
Shtator: nje Union i reformuar gati per zgjerim
Së pari, Komisioni Evropian pritet të publikojë më 30 shtator 2026 dokumentet e titulluara “Rishikimet e politikave para zgjerimit”. Rishikimet synojnë të shqyrtojnë se si zgjerimi do të ndikonte në fushat ekzistuese të politikave të BE-së dhe çfarë ndryshimesh mund të jenë të nevojshme për një Bashkim Evropian ndjeshëm më të madh. Pritet që ato të kontribuojnë në debatin paralel mbi reformën institucionale të BE-së dhe procesin e vendimmarrjes, buxhetin e BE-së dhe Kuadrin Financiar Shumëvjeçar (MFF) të ardhshëm, politikën bujqësore dhe politikën e kohezionit, tregun e përbashkët, shtetin e së drejtës dhe qeverisjen, si dhe vendimmarrjen me unanimitet kundrejt shumicës së cilësuar.
Në fokus pritet të jetë gjithashtu mënyra se si BE-ja mund të funksionojë me më shumë se 30 anëtarë dhe, potencialisht, mundësia e integrimit gradual ose sektorial të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë. Parlamenti Evropian i ka përshkruar në mënyrë të qartë rishikimet e ardhshme si një “hap thelbësor” për përgatitjen e Bashkimit Evropian për anëtarët e rinj.
Mandati politik i këtij ushtrimi buron nga Deklarata e Granadës e tetorit 2023, me të cilën Këshilli Evropian i kërkoi Komisionit të përgatitte reformat para zgjerimit, duke theksuar se në momentin e anëtarësimit duhet të jenë gati njëkohësisht dhe vendet e ardhshme anëtare dhe vete Bashkimi Europian. Hapi i parë konkret ishte Komunikata e 20 marsit 2024, që shqyrtoi pasojat e një Bashkimi më të madh në katër fusha: vlerat, politikat, buxhetin dhe qeverisjen. Në qershor 2024, Këshilli Evropian miratoi një udhërrëfyes me fusha prioritare rishikimi: konkurrueshmërinë dhe tregun e përbashkët, bujqësinë, kohezionin, mbrojtjen dhe sigurinë, si edhe hapësirën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.
Dy detaje formale ndihmojnë të kuptohet çfarë duhet pritur më 30 shtator. Titulli fillestar, “Një BE i përgatitur për zgjerimin: rishikime dhe reforma politikash”, është shkurtuar thjesht në “Rishikimet e politikave para zgjerimit”. Ndërsa instrumenti i zgjedhur është një komunikatë, akt pa fuqi detyruese juridike.
Debati mbi rishikimet nuk shkëputet nga debati mbi buxhetet. Më 16 korrik 2025, Komisioni propozoi Kuadrin Financiar Shumëvjeçar 2028-2034. Ne kete draft dokument, instrumentet e jashtme bashkohen në një të vetëm, Global Europe, me rreth 200 miliardë euro, që zëvendëson Instrumentin e Para-Anëtarësimit IPA III, Facilitetet e Reformës dhe Rritjes, si edhe Facilitetin për Ukrainën. Sipas vlerësimeve paraprake, Ballkani Perëndimor do të kishte rreth 11,7 miliardë euro, kundrejt rreth 7,8 miliardëve nën IPA III.
Ky publikim është tashmë i vonuar. Përfundimi dhe publikimi i kësaj analize pritej në fund të verës. Por duket se ky ka qenë një ushtrim i vështirë. Efekti i zgjerimit në politika të ndjeshme, si Politika e Përbashkët Bujqësore apo politikat e përbashkëta të mbrojtjes, është i ndjeshëm.
Tetor: debati i vjeter vijon, thellim apo zgjerim
Nëse nuk ka vonesa të tjera, dokumenti i rishikimit të politikave do të jetë pikërisht në kohë për një debat të rëndësishëm. Në tetor pritet të ketë një diskutim në Këshillin e Bashkimit Evropian për të ardhmen e zgjerimit. Aty do të përballen qëndrimet e vjetra të vendeve anëtare mbi tensionin mes thellimit të projektit të Bashkimit Evropian dhe zgjerimit. Edhe pse është argumentuar bindshëm, në mendimin tim, se këto dy procese mund të ecin paralelisht dhe të forcojnë njëra-tjetrën, jo të gjithë ndihen po aq të bindur.
Pritet që ky debat të adresojë edhe çështjen e unanimitetit, e cila shpesh mbetet një nga pengesat më të mëdha për vendet kandidate në procesin e zgjerimit. Parimi i unanimitetit u ka dhënë mundësi disa vendeve anëtare të ndërpresin ose të bllokojnë përkohësisht rrugën e vendeve kandidate për çështje që nga vetë institucionet e BE-së janë konsideruar çështje dypalëshe, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kushtet e anëtarësimit. Prej kohësh është hedhur ideja e adoptimit të parimit të votimit me shumicë të cilësuar, veçanërisht për vendimet ndërmjetëse në procesin e zgjerimit, si hapja dhe mbyllja e kapitujve. Parlamenti Evropian ka kërkuar në mënyrë të përsëritur një ndryshim të tillë, duke argumentuar se përdorimi i tepruar i unanimitetit ka ngadalësuar në mënyrë të përsëritur procesin e zgjerimit.
Ne sfond te këtij diskutimi është presidenca irlandeze e Këshillit, nga 1 korriku deri në 31 dhjetor 2026, që i ka vendosur vetes si ambicie progress ne fushat e zgjerimit dhe miratimit te buxhetin shumëvjeçar dhe qe synon mbylljen e negociatave me Malin e Zi brenda mandatit.
Ideja e heqjes së unanimitetit për hapat e ndërmjetëm ka një avantazh juridik që rrallë theksohet. Neni 49 i Traktatit për Bashkimin Evropian kërkon unanimitet për vendimet formale të hapjes dhe të përfundimit të procesit, ndërsa hapja dhe mbyllja e kapitujve janë praktikë politike e Këshillit dhe jo detyrim i traktateve. Presidenti Costa e ka propozuar pikërisht këtë rrugë, që nuk kërkon ndryshime te mirefillte traktatesh, por paradoksi mbetet i njohur: aktivizimi i klauzolave që heqin unanimitetin kërkon vetë unanimitet.
Çështja e vetos nuk do të rishihet vetëm në kuadër të politikave të zgjerimit, por edhe të politikave të brendshme të BE-së, sidomos në qëndrimet ndaj zhvillimeve globale. Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia po shqyrtojnë idenë e kalimit nga unanimiteti në shumicën e kualifikuar në politikën e jashtme. Megjithatë, është e kuptueshme që vende të tjera, sidomos vendet e vogla, nuk janë gati të heqin dorë nga e drejta e vetos, një instrument i fuqishëm që u garanton atyre barazi në familjen politike evropiane.
Se fundmi, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojë Ballkanin Perëndimor gjatë tetorit, por ende nuk është konfirmuar nëse itinerari do të përfshijë të gjitha vendet e rajonit. Vëmendja është përqendruar te Serbia, pasi Brukseli nuk përjashton mundësinë që Beogradi të mos jetë pjesë e vizitës së këtij viti, në një kohë kur marrëdhëniet janë ndikuar nga zhvillimet politike dhe qëndrimet e Serbisë. Një vizitë në Beograd do të ishte veçanërisht e ndjeshme pasi do të zhvillohej vetëm pak javë pas varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladic, i dënuar ndërkombëtarisht për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vizita e von der Leyen pritet të sjellë mesazhe të reja edhe në fushën e integrimit gradual dhe përfitimeve të shteteve kandidate gjatë procesit dhe jo vetëm në kurorëzimin e tij.
Nentor: nje zgjerim per te gjithe zerat
Në fillim te nentorit pritet publikimi i raporteve vjetore, dikur të quajtura raporte të progresit, e tashmë të quajtura me më shumë realizëm raporte të vendeve përkatëse (Country Reports).
Këto raporte janë bërthama e Paketës së Zgjerimit, që përbëhet nga një komunikatë strategjike dhe nga vlerësimet e detajuara vend pas vendi, me rekomandime dhe prioritete reformash. Vlerësimet ushqejnë konkluzionet e Këshillit, orientojnë financimin e para-anëtarësimit dhe shërbejnë si referencë për vendimet mbi kapitujt.
Përgjatë vjeshtës, Mali i Zi pritet të përballet me sfidën e ambicies për përmbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave. Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt dhe, pas Konferencës së 27-të të Anëtarësimit më 15 qershor 2026, ka mbyllur përkohësisht gjashtëmbëdhjetë prej tyre.
Edhe vetë institucionet e Bashkimit Evropian pritet që brenda vjeshtës ta kenë gati draftin e parë të Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi. Ambasadorët e vendeve anëtare miratuan më 22 prill 2026 grupin e punës ad hoc për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit, që u vu në funksion në maj. Ky draft do të ekzaminohet me lupë nga të gjitha vendet e tjera kandidate, duke qenë se ky draft do të shërbejë si një model edhe për to në të ardhmen. Dispozita të ndryshme për kontrollin e sundimit të ligjit dhe respektin ndaj të drejtave të njeriut, si dhe masat e mundshme ndëshkuese pas anëtarësimit, pritet të jenë risitë që do t’u paraprijnë problemeve të mundshme. Eksperienca e hidhur me disa vende anëtare u ka treguar institucioneve të BE-së që progresi i reformave nuk mund të merret i mirëqenë.
Po ashtu, Shqipëria, e cila sapo e ka ngritur siparin e mbylljes së kapitujve, do të synojë mbajtjen e një tjetër konference ndërqeveritare me Bashkimin Evropian dhe mbylljen e disa kapitujve të tjerë përpara se kalendari të kthejë fletën në vitin 2027, vit ne te cilin ambicia eshte per ti mbyllur te gjithe kapitujt. Më 14 korrik 2026, në Konferencën e Nëntë, u mbyllën përkohësisht kapitulli 25 për shkencën dhe kërkimin, 26 për arsimin dhe kulturën, dhe 30 për marrëdhëniet me jashtë.
Ndërkohë, në 15 dhe 16 nëntor do të mbahet Forumi i Zgjerimit të BE-së, një platformë më e gjerë dhe më përfshirëse ku aktorë të shoqërisë civile, botës akademike dhe organizatave komunitare u bashkohen vendimmarrësve dhe politikëbërësve për të diskutuar pikërisht progresin dhe rëndësinë e zgjerimit. Titulli i forumit, “Një Evropë më e gjerë, një Evropë më e fortë”, ngërthen një pikëpamje optimiste, karakteristike për Komisionin Evropian, që organizon këtë aktivitet. Ky do të jetë edicioni i dytë i këtij Forumi. Edicioni i parë u zhvillua në Bruksel në 2025, me temën “Përfundimi i bashkimit të Evropës, garantimi i së ardhmes sonë”.
Forumi organizohet nën kujdesin e Komisioneres Kos dhe edicioni i parë, më 18 nëntor 2025, u konceptua si format i hapur, ku pranë përfaqësuesve institucionalë ulen sipërmarrës, gazetarë, akademikë, artistë dhe të rinj. Komisioni ka hapur gjithashtu një kanal për aktivitete satelitore: institutet kërkimore, universitetet dhe qendrat Europe Direct mund të organizojnë diskutime paralele dhe t’i promovojnë në platformat e Forumit.
Ne vend te mbylljes
Disa ide të reja mbi zgjerimin pritet të bëhen pjesë permanente e diskutimit dhe vendimmarrjes. Disa ide të tjera mund të lindin ndërkohë.
E ardhmja e zgjerimit nuk vendoset vetëm në një vektor, nga Bashkimi Evropian drejt vendeve kandidate. Kjo vendimmarrje ka nevojë për zërat, aspiratat dhe shqetësimet e vendeve kandidate. Rishikimet e politikave, kapitujt e buxhetit, klauzolat e traktatit të anëtarësimit dhe raportet e vendeve janë tekste që rrallë lexohen jashtë një rrethi të vogël profesionistësh, ndërkohë që pikërisht ato do të përcaktojnë ritmin e integrimit dhe kushtet e tij. Këtu lind edhe hapësira për institutet kërkimore, universitetet, organizatat dhe median për t’i sjellë këto debate dhe këto detaje e për t’i bërë ato të lexueshme për publikun. Një gjë është e sigurt. Për të gjithë ne që ndjekim dhe aspirojmë integrimin në Bashkimin Evropian, kjo vjeshtë do të jetë e vrullshme dhe interesante.
