Je i/e apasionuar pas krijimtarisë, mediave dhe botës online?
Dëshiron të tregosh përmes imazheve dhe videove se si inteligjenca artificiale po ndryshon atë që shohim, krijojmë dhe besojmë në internet?
Kjo është mundësia jote!
Instituti Shqiptar i Medias fton të rinjtë nga e gjithë Shqipëria të marrin pjesë në Konkursin e Edukimit për Median dhe Informacionin 2026, një garë që nxit krijimtarinë vizuale, mendimin kritik dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
Temat e mundshme të konkursit janë:
- IA dhe realiteti: a mund t’u besojmë gjithmonë imazheve, videove dhe zërave online?
- IA dhe krijimtaria: ku takohen krijimtaria njerëzore dhe ajo artificiale?
- IA dhe informacioni: si po ndryshon mënyra se si kërkojmë, marrim dhe besojmë informacionin?
- IA dhe ndikimi online: algoritmet, influencer-at dhe përmbajtjet e krijuara nga IA
- IA në jetën e përditshme: përdorimi i dobishëm, kritik dhe i përgjegjshëm i IA-së
Pjesëmarrësit ftohen t’i interpretojnë këto tema përmes krijimeve vizuale origjinale. Punimet mund të trajtojnë, për shembull, dallimin mes reales dhe artificiales, autenticitetin e përmbajtjes, ose jetën para dhe pas përdorimit të IA-së. Synimi është të nxisin reflektim, verifikim dhe sjellje të përgjegjshme online.
Çfarë mund të krijosh?
Zgjidh formatin që të përshtatet më shumë:
- Video e shkurtër, reel ose YouTube short
- Poster apo art dixhital
- Meme, komiks dixhital ose një histori vizuale e shkurtër (p.sh., Instagram carousel)
Çmimet:
Tre (3) punimet më të mira do të përzgjidhen dhe shpërblehen nga juria me vlera nga 150 deri në 400 Euro (minus taksën përkatëse sipas ligjit në fuqi).
Mes punimeve finaliste mund të përzgjidhet edhe një “Çmim i publikut” përmes votimit në Instagram.
Punimet që plotësojnë kriteret e pranueshmërisë mund të publikohen në rrjetet sociale të Institutit Shqiptar të Medias.
Kush mund të marrë pjesë?
- Të rinj/të reja nga 15 deri në 30 vjeç nga e gjithë Shqipëria.
- Pjesëmarrja mund të jetë individuale ose në grup (deri në 3 persona).
- Përmbajtja duhet të jetë origjinale dhe në përputhje me temën e konkursit. Nëse përdoren mjete të IA-së, pjesëmarrësit duhet të tregojnë shkurtimisht si janë përdorur.
Afati i fundit:
Afati i aplikimit për edicionin 2026: 4 dhjetor, 2026, ora 17:00.
Si të aplikosh: Dërgo punimin dhe një përshkrim të shkurtër të mesazhit të tij (duke përfshirë përdorimin e mundshëm të IA-së) në adresën: gimi@institutemedia.org


