Pergatiti: Anila Hoxha
Pikërisht në një nga tryezat për etikën, e pyeta profesoreshën e magjistraturës Arta Mandro se ku gaboi media gjatë raportimit për vrasjen e vogëlushit Mateo? Duke vendosur menjëherë dorën në zemër, pa shkuar aspak te fjalët, profesoresha më la të kuptoja se si qytetare që lexoi online apo ndoqi transmetimet, mirëfilli ajo si audiencë ishte dëmtuar nga aq shumë detaje të rënda dhe të panevojshme, sa kishte vendosur që të vetëruhej duke mos na ndjekur.
Por për kë shkruajmë, kujt i tregojmë dhe çfarë tregojmë, në rast se audienca ndihet e dhunuar dhe e pamundur që t’i kapërdijë faktet e hollësishme që ne i përcjellim?
Rasti i Mateos që nuk është i pari, dhe në të nuk mungoi kortezhi, vendi i fshehjes së trupit, mënyra si u vra, si u gjet fëmija i pajetë, ishte sërish një raportim i përsëritur mbi dhunën dhe krimin, abuzimet seksuale ndaj të miturve që rrëfehen nga prindër me identitet të ekspozuar, duke ekspozuar të dhënat e fëmijës viktimë. Pas çdo raportimi të ngjashëm me atë të Mateos përballemi me pikëpyetjen: deri ku kemi të drejtë të tregojmë; dhe a është apo jo etike të qenit shterues në përshkrimin e fakteve?
Kodi etik i medias shqiptare, që duhet marrë parasysh, na ka lënë mes të drejtës për të informuar, por gjithashtu edhe kërkesës se interesi publik nuk justifikon sensacionalizmin. Përse është kaq e vështirë të balancohet e drejta për të informuar me parimet e këtij kodi se ‘produktet mediatike që propagandojnë luftë, dhunë, zemëratë, apo lëndojnë ndjenjat e gjithë publikut janë rreptësisht të ndaluara?!’. Dhuna dhe brutaliteti nuk duhen sensacionalizuar. Raportimi duhet të marrë parasysh nevojën për të mbrojtur të miturit.
Të raportosh nga terreni për ngjarje të rënda, me viktima të mitur apo gra të abuzuara kërkon jo vetëm vetëdijesim, por dhe eksperiencë dhe etikë nga gazetari. Megjithatë, kjo nuk është vetëm çështje në dorën e gazetarëve. Gjithaq duhet të jetë funksionale dhe në shërbim të interesit publik edhe redaksia, dhe mediumet përkatëse që duket sikur kanë rënë në grackën e klikimeve. Gjithashtu në konkurrencën e transmetimeve direkte, duket sikur gara e raportimit të krimit ka marrë peng edhe gazetarët apo profesionistët e raportimit, që në sytë e publikut perceptohen si “dhënës” të ngjarjes pa asnjë filtër. Me sa më shumë detaje të miturish, të dhënash që në parimet e etikës parashikohen, por nuk respektohen. Që filtrat nga terreni në redaksitë përkatëse nuk funksionojnë, kjo është më se e kuptueshme. Dhe për ta kuruar këtë problem që nuk është një histori vetëm e medias shqiptare duhet folur pikësëpari mbi të vërtetën se deri ku shkon gara mes gazetarëve që priren të jenë sa më të hollësishëm dhe çfarë raporti ka një element i tillë me ndikimin e redaksive për të qenë sa më porozë dhe shterues duke ndjekur 5 “w”?
Sido që të jetë ky raport, e vërteta është shqetësuese dhe pavarësisht manualëve apo trajnimeve përkatëse, raportimet vazhdojnë të jenë përherë e më specifike.
A duhet t’ia japim apo jo kaq shumë detaje publikut, ndonëse çdokush prej nesh mund të argumentojë mbështetur në interesin e publikut? Në librin ”Gazetaria”, Stephan Russ Mohl thekson që para se gazetarët të botojnë një histori, ata duhet të pyesin ç’dëme mund të bëjnë me të. Njëherazi në librin tjetër “Raportimi dhe shkrimi i lajmeve”, Nora Gallagher përmend uraganin Katrina duke kujtuar misionin e gazetarëve me frazën “ne e kemi historinë, sepse gazetarët bënë pyetje të vërteta dhe kërkuan përgjigje të vërteta”.
Për Mateon si për çdo ngjarje po kaq të rëndë, raportimi jetoi tre ditë, mbas përshkrimit të vendngjarjes dhe detajimit të veprimeve e rrëfimeve të vrasësit të dyshuar. Sigurisht që zemërimi i publikut bie me të drejtë ndaj reporterëve që raportojnë aktualitetin, gjykatat, policinë dhe prokurorinë. Por një reporter në terren është vetëm njëra nga hallkat. Pyetjet që duhet të bënim, investigimi që duhej kryer duhen shtruar për diskutim publik lidhen me mbrojtjen e fëmijëve nga lagjja ku jetojnë deri tek siguria në internet, a funksionon apo jo kontrolli i individëve të skeduar më herët për krime të ngjashme? A funksionon apo jo trajtimi i shtetasve që duhen kuruar nga çrregullimet e shëndetit mendor? Dhe shumë pyetje të tjera përmes të cilave një raportim i tillë quhet gazetari. Shumë investiguan edhe në këtë pikë, por sërish detajet mbi gropën ku ishte fshehur trupi i fëmijës e zhbëjnë gjithçka u raportua.