Sfidave të qenësishme të etikës në media i shtohet edhe përballja me fenomenin e Inteligjencës Artificiale. Kjo ishte tema e takimit të organizuar në Universitetin Bedër në datë 30 janar, 2025. Gazetaria vetë është një profesion në ndryshim në këtë moment dhe kërkon kohën e vet që të reflektohen rregullat profesionale. Këto rregulla duhet të marrin parasysh edhe përballjen me prurjet e Inteligjencës Artificiale (IA), ndërkohë që edukimi mediatik duhet të ndërgjegjësojë qytetarët për rolin e AI.
Alban Tufa, profesor gazetarie pranë Kolegjit Universitar Bedër, u përqendrua te përpjekjet e bëra deri më tani në fushën e edukimit mediatik dhe të informacionit, në arsimimin e studentëve, por edhe të qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e iniciativave të tilla. Ai tha se në një kohë kur jemi të bombarduar vazhdimisht me informacion nga burime të ndryshme, shumë pak njerëz ndalen të pyesin veten se nga vjen ky informacion dhe nëse mund t’i besojmë. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në edukimin mediatik dhe të informacionit, jo vetëm për përfitimin e tyre personal, por edhe si një mjet për të mbajtur mediat më të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Ai trajtoi mekanizma të tillë si njohuritë mbi sistemin e pronësisë mediatike dhe aktorët kryesorë, si dhe mënyrën se si ata filtrojnë informacionin për publikun.
Njëkohësisht, u diskutua edhe ideja e forcimit të etikës përmes vetërregullimit, qoftë nëpërmjet organeve apo këshillave ekzistuese, ose përmes qasjeve më të drejtpërdrejta të publikut ndaj mediave.
Erlis Cela, trajner i edukimit mediatik dhe ekspert për median, e vazhdoi diskutimin në të njëjtën linjë, duke theksuar se në epokën e Inteligjencës Artificiale, presioni për të qenë të përditësuar me teknologjinë dhe mënyrën se si ajo ndikon në informacionin dhe mediat është edhe më i madh. Po ashtu, edukimi për median dhe informacionin duhet të shtrihet edhe në këtë fushë, duke u dhënë qytetarëve aftësitë e nevojshme dhe informacionin bazë. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh se tundimi për vetë mediat, që ta përdorin këtë teknologji në punën e tyre të përditshme është i madh, lind nevoja për disa udhëzime bazë dhe një diskutim profesional mbi etikën e gazetarisë në përdorimin e AI.
Folësit diskutuan raste të ndryshme të problemeve etike që mund të lindin në institucionet arsimore, në redaksitë mediatike, por edhe mes qytetarëve që duan të përdorin mediat sociale në mënyrë të përgjegjshme. Studentët dhe gazetarët e pranishëm ndanë gjithashtu përvojat e tyre mbi AI dhe etikën. Problemet si mungesa e kreativitetit, dështimi për të vlerësuar përmbajtjen origjinale ose informacionin e verifikuar, dilemat në dallimin e përmbajtjes së krijuar nga AI, dhe më e rëndësishmja, se çfarë do të thotë kjo për të ardhmen, ishin vetëm disa nga aspektet e diskutuara gjatë këtij aktiviteti. Ndërgjegjësimi publik për këto tema dhe edukimi masiv i popullsisë mbi edukimin mediatik dhe të informacionit u theksuan gjithashtu si një kusht themelor për një media më profesionale dhe etike, si dhe për një publik më të përgatitur.
Kjo tryezë diskutimi ishte pjesë e projektit rajonal “Media Jonë: Një projekt i shoqërisë civile për të nxitur edukimin për median dhe aktivizmin, kundër polarizimit, në dobi të dialogut,” mbështetur nga Bashkimi Europian.





