Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) ka kënaqësinë t’ju ftojë në një forum diskutimi për fusha të shtetit të së drejtës, që përfshihen në Kapitullin 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore dhe Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria, Siguria. Forumi do të zhvillohet më datë 22 Dhjetor 2025, ora 15:00-17:00, në ambientet e Europe House.
Ky forum sjell në dialog ekspertë, praktikues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të shqyrtuar çështjet e dosjeve të mbetura stok (backlog), respektimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, ligjin i ri për kanabisin, dhe forcimin e bashkëpunimit policor, duke kombinuar analizën ligjore me perspektivën praktike dhe rekomandimet konkrete për reformë. Diskutimet do të bazohen në artikuj të përzgjedhur nga Revista Juridike Shqiptare (ALJ), krijuar nga EMA që prej vitit 2017, që ofron analiza dhe propozime të qëndrueshme për përmirësime ligjore dhe institucionale.
Artikulli i parë trajton çështjet e mbetura në sistemin gjyqësor me paraqitjen e një analize kritike të Strategjisë Kombëtare të KLGJ-së për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (2024-2027). Artikulli tjetër trajton të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale, duke e parë këtë temë nga një perspektivë më e gjerë që përfshin pritshmëritë e bizneseve dhe punën konkrete të Nëpunësve për Mbrojtjen e të Dhënave (Data Protection Officers). Ndërsa, dy artikujt e tjerë trajtojnë fusha të debatuara lidhur me nënçështjet e Kapitullit 24, duke filluar me legalizimin dhe rregullimin e kanabisit industrial dhe kanabisit mjekësor në Shqipëri, dhe artikulli i fundit që trajton bashkëpunimin policor dhe rolin e agjensive europiane si Frontex dhe Europol që kanë dhënë mbështetje të vlefshme operacionale, ekspertizë teknike dhe mekanizma për shkëmbimin e inteligjencës.
Programin e plotë e gjeni këtu: EMA_Forum Diskutimi, Axhenda & Programi, 22.12.2025.pdf
Jeni të mirëpritur të merrni pjesë në këtë aktivitet duke konfirmuar në adresën: info@em-al.org
