Në 25 Prill Shqipëria do të mbajë zgjedhjet Parlamentare dhe fushata elektorale tashmë ka filluar. Gjuha e urrejtjes politike mbetet një nga format më të spikatura të përhapjes së urrejtjes në Shqipëri, veçanërisht gjatë periudhës së zgjedhjeve.
Gjatë muajit Mars, Rrjeti i Raportimi të Diversitetit 2.0 ka identifikuar disa incidente të gjuhës së urrejtjes, që vinin nga disa figura politike kryesore në vend. Në këtë shkrim ne do t’i referohemi incidenteve kryesore që tërhoqën vëmendjen mediatike dhe të publikut, që njëkohësisht janë të rëndësishme për t’u adresuar. Incidentet përfshijnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes, gjuhës fyese, përçmuese dhe seksiste, që figura të ndryshme politike dhe publike përdorën kundër njëri-tjetrit.
Incidenti më i përhapur i kësaj periudhe ka qenë ai që përfshiu Kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe kandidaten për deputete të partisë Demokratike, Grida Duma, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e publikut për përdorimin e gjuhës së tepruar urryese përkundrejt njëri-tjetrit. Të dy figurat në fjalë janë të njohura për përdorimin e elementëve të gjuhës së urrjejtjes në kontekste politike.
Më konkretisht, është vënë re se Kryeministri në një prezantim të drejtpërdrejtë të kandidatëve të tij politikë që do të garojnë për zgjedhjet parlamentare, i prezantoi ata krahasuar me kandidatët që vijnë nga partia opozitare (PD). Fotografitë e kandidatëve të opozitës ishin përçmuese, jashtë kontekstit dhe poshtëruese, si edhe me përmbajtje seksiste. Në veçanti vëmendja u tërhoq nga fotoja që ai përdori për të përfaqësuar Grida Duma-n, e cila nuk ishte e përshtatshme dhe që Kryeministri e shoqëroi me përshkrimin “Gridare, Gridare, Gridare ooooo”, që dukshëm shton tonet seksiste ndaj imazhit të përzgjedhur.
Nga ana tjetër, reagime me po të njëjtën gjuhë fyese dhe urryese kanë ardhur edhe nga përfaqësues të partive të tjera politike në vend, si Grida Duma, e cila në një postim në faqen e saj në FB shpërndan video me thirrje fyese dhe urryese ndaj Kryeministrit. Po ashtu, Nora Malaj deputete e LSI-së në parlament ka reaguar lidhur me incidentin Rama-Duma, duke përdorur gjuhë urrjetje ndaj tij. Reagim i ngjashëm me gjuhë urryese ka ardhur nga deputetja Mesila Doda, e cila përdor tonë të ashpra fyese, denigruese dhe me përmbajtje të urrejtjes që targetojnë Edi Ramën si invidid, por edhe si Kryeministër. Nga ana tjetër, nuk ka munguar përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë civile, që tërheqin vëmendjen e tyre lidhur me mos-reagimin ndaj incidenit në fjalë.
Reagim tjetër pa përmbajtje urryese lidhur më këtë incident ka ardhur në formën e një thirrjeje publike nga 24 organizata të shoqërisë civile, të cilat kërkojnë ndalim të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj grave në politikë. Thirrja e tyre iu është drejtuar subjekteve politike, mediave, si edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Ky incident në veçanti, por edhe përdorimi masiv i gjuhës urryese gjatë fushatës zgjedhore nxiti reagimin e Shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili në një deklaratë publike kujtoi “rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës… që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje.” Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe rekomandimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisoni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët në veçanti theksojnë “parandalimin e gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës elektorale”, si nga partitë politike dhe mbështetësit e tyre, po ashtu edhe nga organet mediatike të cilat “duhet të refuzojnë mbulimin e fushatave zgjedhore që përdorin apo mbështesin gjuhë urrejtjeje.”
Vlen të theksohet se, ndonëse, media dhe gazetarët nuk mbajnë autorësinë e përmbajtjeve me gjuhë urryese, ata amplifikojnë atë që thonë politikanët duke i raportuar këto incidente në shkelje të Kodit Etik. Raportimi dhe mbulimi i këtyre incidenteve nga ana e profesionistëve të medias duhet bërë me përgjegjshmëri, shoqëruar me shpjegimet e nevojshme dhe reflektimet kritike mbi kontekstin, në mënyrë që të kontribuojë në pakësimin e gjuhës urrese, jo në përhapjen dhe shtimin e saj.