Inteligjenca Artificiale dhe përdorimi i saj në fushën e gazetarisë

Instituti Shqiptar i Medias prezanton një seri artikujsh të shkurtër që përpiqen të ofrojnë informacion të përmbledhur mbi Inteligjencën Artificiale (IA) dhe përdorimin e saj në fushën e gazetarisë. Informacioni është organizuar në bazë nën-temash, duke i kushtuar një artikull secilës nën-temë të IA në gazetari. Ky informacion bazohet në një sërë burimesh të zhvilluara dhe hulumtuara nga organizata të njohura si UNESCO, Këshilli i Europës, London School of Economics, si dhe në Udhëzuesin e ISHM mbi përdorimin etik të IA në median shqiptare.

Inteligjenca artificiale zakonisht përkufizohet si një ‘koleksion idesh, teknologjish dhe teknikash që lidhen me aftësinë e një sistemi kompjuterik për të kryer detyra që normalisht kërkojnë inteligjencën e njeriut”. Në fushën e gazetarisë, IA është si ombrellë që i referohet përdorimit të algoritmeve dhe automatizimit nga mediat, zakonisht për ta bërë punën e gazetarëve më efiçente ose për të ofruar përmbajtje më të mirë për audiencën.

IA gjenerative e bën shumë të lehtë përhapjen e keqinformimit dhe dizinformacionit me anë të fjalëve, fotove, videove, apo materialeve audio të ndryshuara, përfshi edhe të tilla që duken si të vërteta dhe autentike. Për të shmangur përdorimin e përmbajtjeve të ndryshuara, qoftë edhe pa dashje, gazetarët duhet të ushtrojnë të njëjtin kujdes dhe skepticizëm që përdorin normalisht – identifikimin e burimit dhe kontrollin për raportime me përmbajtje të ngjashme, por nga media të besuara.