Shqipëria është e njohur për bashkëjetesën fetare harmonike mes komuniteteve të ndryshme fetare: Myslimane Suni dhe Bektashi, të krishterë ortodoksë dhe katolikë, pa harruar edhe grupet e tjera fetare. Kur Papa Françesku realizoi turin e tij të parë europian në Tiranë në shtator 2014 duke përcjellë pikërisht mesazhin e tolerancës, ai e karakterizoi situatën në Shqipëri si vëllazëri fetare. Kjo situatë duhet thënë se reflektohet edhe në diskursin publik në përgjithësi dhe atë mediatik në veçanti. Vëzhgimet dhe monitorimet tona konfirmojnë se gjuha e urrejtjes fetare është më pak e pranishme se të tjerat në ambientin informativ shqiptar, sidomos në mediat kryesore dhe tradicionale.
Gjithsesi, balancat fetare janë për vetë natyrën e tyre delikate dhe shpesh gjenden nën kërcënime të ndryshme. Diskursi fetar është vazhdimisht i rrezikuar nga dezinformimet, keqinformimet dhe gjuha e urrejtjes, por edhe nga manipulimi informativ dhe përpjekjet për politizimin e fesë.
Vërejmë me shqetësim se një element i ri i manipulimit informativ u vu re së fundmi, kur gjatë debatit të brendshëm ne partinë kryesore të opozitës u bënë akuza për përfshirjen e grupeve fundamentaliste të armatosura nga vende fqinje, te cilët u paraqitën si pjesë e Vëllazërisë Myslimane. Këto akuza shkaktuan një debat të tensionuar në media dhe një raportim te polarizuar. Ndërsa një pjesë e medias i amplifikoi me shpejtësi këto akuza, një pjesë tjetër i paraqiti ato si anti-myslimane, anti-kombëtare dhe Islamofobe. Është e qartë se përdorimi i fesë për qëllime politike është një strategji e rrezikshme, sidomos në një vend multifetar si Shqipëria. Media nuk mund të shmangë raportimin e këtij debati, por mund dhe duhet te shmangë gjuhën e urrejtjes dhe manipulimin informativ.
Nga ana tjetër, vizita zyrtare e Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Tiranë u shoqërua me debate të shumta në studiot televizive dhe në portalet online. Përveç debateve të natyrshme politike, debatuesit në media dhe komentuesit në rrjetet sociale, u fokusuan nëceremoninë e inaugurimit te Xhamisë se Et’hem Beut në Tiranë, rinovuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TİKA), ku nuk ishin ftuar përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar, si dhe në fjalimin e Erdoğan në Parlament, ku ai kërkoi që Shqipëria të marrë masa urgjente kundër organizatës FETÖ. Edhe në ketë rast, komentet dhe opinionet e prezantuara ishin të polarizuara nga pikëpamja politike, çka është e kuptueshme, por ajo që është shqetësuese është që ky debat u karakterizua edhe nga elemente fetare dhe shpesh nga shfaqje të polarizimit fetar. Për me tepër, në seksionet e komenteve të mediave kryesore u vërejt një valë e madhe e gjuhës së urrejtjes fetare dhe shfaqje serioze të Islamofobisë.
Instrumentalizimi politik i fesë, qoftë nga aktorët politikë, qoftë nga aktorët mediatikë, çon pashmangshëm në polarizim dhe përbën një kërcenim për shoqërinë. Është kjo arsyeja që nga gazetarët që raportojnë këto tema kërkohet përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Siç nënvizon Kodi Shqiptar i Etikës së Gazetarit, media duhet të shmangë botimin e materialeve që nxisin urrejtje apo dhunë mes individëve mbi bazën e fesë.
Rrjeti i Raportimit të Diversitetit 2.0 nxit mediat, figurat publike dhe personat privatë që të tregojnë kujdesin maksimal kur raportojnë dhe prezantojnë ngjarje me sfond fetar. Përveç kësaj, ne avokojmë vazhdimisht për ushtrimin e vetëpërmbajtjes në gjuhën e përdorur për të trajtuar çështje të tilla delikate si feja.