Autor: Sanela Hodžić
Botues: Fondacioni Mediacentar, Sarajevë dhe Instituti i Paqes, Lubjanë, 2024.
Në ditët tonë mediat nuk janë vetëm kanale për komunikimin dhe pasqyrimin e realitetit shoqëror, por një media demokratike është parakusht i demokracisë
Në regjimet represive në mbarë botën, gazetaria e pavarur është vënë nën presion të madh, madje në disa prej tyre është eliminuar krejtësisht. Sidoqoftë, media është në krizë në mbarë botën, ku mediat janë kapur kryesisht nga interesat e korporatave dhe politika. Tendenca globale e polarizimit dhe radikalizimit në vazhdën e luftërave dhe konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme po i përkeqësojnë këto problemet, paralelisht me sfidat që dalin nga ndryshimet teknologjike dhe dominimi i platformave të mëdha teknologjike që kërcënojnë të reduktojnë akoma më tej prodhimin e përmbajtjes mediatike të pavarur, cilësore, dhe informacioneve me interes të përgjithshëm. Për këto arsye, aktivizmi mediatik po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Raporti “Mobilizimi në mbrojtje të interesit publik në media” bazohet mbi idenë se performanca e medias dhe reformat në media do të përcaktojnë rrjedhën e historisë, dhe se promovimi i praktikave të mira në punën e medias do të ndihmojë në formëzimin e një aktivizmi mediatik për të mundësuar mbizotërimin e vlerave të interesit publik në gazetari, media dhe komunikim në këto momente krize.
Aktivizmi mediatik mund të përshpejtojë realizimin e ndryshimeve pozitive dhe reformave në institucionet mediatike, politikat e medias, përmbajtjen dhe praktikat mediatike, por mund të ndihmojë edhe në krijimin e mediave të reja alternative, si hapësira që ofrojnë përmbajtje me interes publik dhe promovojnë vlera demokratike. Duke pasur parasysh këtë, përmbledhja e disa prej shembujve më të mirë të aktivizmit mediatik në këtë raport synon të frymëzojë ndërhyrje më energjike dhe efikase për të mbrojtur interesin publik në media dhe komunikim. Më konkretisht, një nga synimet është krijimi dhe identifikimi i praktikave më të mira të edukimit mbi median dhe informacionin nga koalicionet e organizatave të shoqërisë civile (OSHC), në kuadër të projektit Media Jonë (Our Media) dhe më gjerë.
Aktivizmi mediatik dhe edukimi mbi median dhe informacionin lidhen ngushtë me njëra-tjetrën, pasi vetëm një qytetari e arsimuar mediatikisht mund të mobilizohet me sukses në përpjekjet për të realizuar reforma thelbësore në media dhe komunikim. Në tabllonë e përgjithshme të situatës përfshihen edhe shembuj të aktivizmit mediatik nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia) dhe Turqia, si dhe nga vende të BE-së dhe pjesës tjetër të botës. Identifikimi i praktikave të mira mediatike u krye gjatë periudhës qershor-tetor 2023, dhe puna u bazua kryesisht në kërkime dytësore, dhe aty ku ishte e nevojshme në punë kërkimore parësore, si në analizimin e materialeve nga burime online dhe kërkesa për informacion nga institucione të lidhura me median. Studimi mbështetet në të dhëna nga shtatë studiues nga vende të rajonit: Ilda Londo (Shqipëri), Florent Spahija (Kosovë), Milica Bogdanoviç (Mali i Zi), Vesna Nikodinoska (Maqedonia e Veriut), Milica Janjatoviç Jovanoviç (Serbi), dhe Sinem Aydinli (Turqi).
Ky raport nis me një analizë të përkufizimeve dhe konceptualizimeve të aktivizmit mediatik, i ndjekur më pas nga një tabllo e shkurtër e historisë së aktivizmit mediatik. Pas kësaj paraqiten dhe analizohen shkurtimisht disa shembuj të mirë të aktivizmit mediatik, ndërsa në pjesën përmbyllëse analizohen mundësi zhvillimi dhe sfida që dalin përpara dhe propozohet një tipologji e aktivizmit mediatik.Së fundi, ky raport synon të paraqesë disa nga shembujt më të mirë të aktivizmit në media, duke përfshirë edhe ndërhyrje të suksesshme që kanë sjellë ndryshime të politikave dhe praktikave në media, por edhe përpjekje të suksesshme që kanë nxitur riformulimin e politikave publike dhe pëmirësimin e nivelit të ndërgjegjësimit publik, zgjerimin e bazës së mbështetjes për reforma, si dhe shembuj aktivizmi mbi tema të reja dhe metodologji të reja, ose përpjekje që konsiderohen të suksesshme pasi kanë sfiduar politikat dhe praktikat ekzistuese. Nuk po pretendojmë se kemi përzgjedhur të gjithë shembujt më të mirë dhe më të efektshëm të aktivizmit mediatik, por jemi munduar të pasqyrojmë një gamë sa më të gjerë për sa i përket fokusit tematik, llojeve të metodave dhe veprimeve, grupeve të përfshira në aktivizëm, vendndodhjes gjeografike dhe kontekstit politik.
Ky botim është pjesë e komponentit kërkimor të projektit “Media jonë: Një projekt i shoqërisë civile për të nxitur edukimin për median dhe aktivizmin, kundër polarizimit, në dobi të dialogut.” Seria e dytë e raporteve studimore u krye si pjesë e kuadrit tematik të titulluar “Identifikimi i praktikave të mira të aktivizmit mediatik në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë vendet përfituese të projektit- Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Turqi.”
Projekti “Media jonë: Një projekt i shoqërisë civile për të nxitur edukimin për median dhe aktivizmin, kundër polarizimit, në dobi të dialogut” zbatohet nga nëntë organizata për zhvillimin e medias nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Koordinatori i këtij projekti tre-vjeçar është Fondacioni Mediacentar Sarajevë. Partnerët e projektit janë Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë, Bianet në Stamboll, Instituti Maqedonas i Medias në Shkup, Instituti i Medias i Malit të Zi në Podgoricë, Shkolla e Gazetarisë të Novi Sad, Instituti i Paqes në Lubjanë; Këshilli i Shtypit të Kosovës në Prishtinë dhe Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM).