Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
No Result
View All Result
Home IA
Në vend të dyshojmë dhe të frikësohemi, le ta përdorim IA në dobi të gazetarisë

Në vend të dyshojmë dhe të frikësohemi, le ta përdorim IA në dobi të gazetarisë

in IA

Rrapo Zguri

Frika dhe paniku i shkaktuar nga teknologjitë e reja, nuk janë diçka e panjohur për njerëzimin. Madje zor se mund të gjendet një inovacion teknologjik që të mos jetë bashkëshoqëruar me dyshimin, refuzimin, apo edhe armiqësinë. Shembujt janë të shumtë. Dhe i gjejmë që herët në lashtësi.

Në një nga dialogët e famshëm të Platonit, dhe pikërisht te Fedros (anglisht: Phaedrus) gjejmë shqetësimin e vënë në gojën e Sokratit, se “të shkruarit e gjuhës do të shkaktojë harresë në mendjet e atyre që do të mësojnë ta përdorin atë, sepse ata nuk do ta praktikojnë kujtesën e tyre”.

Shekuj më vonë, në fillimet e industrializimit, refuzimi ndaj inovacioneve shfaqet edhe në formën e sulmeve të dhunshme, siç ndodhi gjatë lëvizjes ludite në Britaninë e Madhe, ku punëtorët, të trembur se teknologjia e re do t’iu rrezikonte vendet e tyre të punës, shkatërruan të gjitha makineritë e reja. Gjatë shekullit XIX pati gazeta në Perëndim që ngritën alarmin se elektriciteti i saposhpikur do të dëmtonte aftësitë riprodhuese të njerëzve dhe do të cenonte fertilitetin mes tyre.

Edhe në lëmin e mediave dhe të komunikimit masiv, inovacionet kanë pasur të njëjtin “fat”: krahas optimizmit dhe përkrahjes, ato janë përcjellë edhe me dyshime, kundërshtim dhe në disa raste edhe me teori konspirative. Kështu, filmi artistik në fillimet e veta është cilësuar si mjet i degjenerimit të rinisë, radioja si instrument propagande, televizioni si “mjet i djallit” (siç është shprehur gazetari britanik Thomas Malcolm Muggeridge), kompjuteri si sulm ndaj njerëzimit, interneti si mjet i budallenjve (sipas Umberto Eco), për të arritur në ditët e sotme te dyshimet, kufizimi apo kundërshtimi ndaj inteligjencës artificiale.

Kështu, për shembull Franca dhe Suedia kanë ndaluar kohët e fundit përdorimin e IA për identifikimin e nxënësve përmes fytyrës. Belgjika ndaloi përdorimin e identifikimit facial në aeroporte, etj.

Por inteligjenca artificiale po konsiderohet nga disa edhe si inovacioni që do të sjellë fundin e gazetarisë.

Pse i tremben IA?

Në fushën e mediave dhe të gazetarisë, dyshimi dhe skepticizmi ndaj përdorimit të IA në ditët e sotme kanë avancuar deri në panik dhe dëshpërim, si te një pjesë e audiencës edhe te një pjesë e komunitetit të profesionistëve të lajmit.

Duke kundërshtuar përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetari, kritizerët argumentojnë se IA nuk ka ndërgjegje – ajo optimizohet për klikimet dhe jo për të vërtetën. Sipas tyre IA-së i mungojnë vlerat njerëzore, empatia dhe arsyetimi moral. Zëvendësimi i gazetarëve me algoritme mund t’i shndërrojë lajmet në përmbajtje sterile pa kontekst dhe pa nerv human. Nga ana tjetër është shfaqur frika se IA do të diktojë politikën editoriale dhe përcaktimin e agjendës së saj bazuar në logjikën e algoritmeve dhe jo në nevojat reale të publikut për informacion. Kjo do ta dëmtonte edhe funksionimin e mediave si pushtet i katërt si dhe do të zvetënonte rolin e saj si watchdog në mbrojtje të interesit publik.

Mjaft njerëz druajnë se interneti do të popullohet me artikuj sipërfaqësorë të gjeneruar nga IA, të cilat duken reale, por iu mungon verifikimi i fakteve apo raportimi origjinal. Kësisoj dezinformimi përhapet më shpejt dhe audienca e ka të vështirë të dallojë faktin nga opinioni. Skeptikët dyshojnë se duke automatizuar shkrimin, kërkimin, transkriptimin dhe redaktimin – IA do t’i bëjë punët tradicionale të raportimit të duken më pak të vlefshme. Kjo pritet të çojë edhe  në humbje të vendeve të punës dhe zhvlerësim të aftësive gazetareske. Mjaft role të nivelit fillestar (verifikues faktesh, reporterë të rinj) mund të zhduken. Gjithashtu, vërejnë kritizerët, zvogëlohen mundësitë që gazetarët të ushtrojnë profesionin e tyre ose të angazhohen në raportime investigative.

Nga ana tjetër,  sipas tyre pritet që të thellohet erozioni i besimit të publikut te media. Lexuesit mund të ndihen të manipuluar nëse mësojnë se përmbajtja nuk është krijuar nga një njeri profesionist, veçanërisht në fusha të ndjeshme si politika, lufta ose shëndeti publik.

Nuk ka kthim prapa

Dyshimet dhe kundërargumentet në lidhje me përdorimin e IA në gazetari, janë qasje që mund ta vonojnë procesin e adoptimit të këtij inovacioni. Por, pavarësisht prej tyre, herët a vonë inovacionet do ta përshkojnë rrugën e tyre duke ndjekur një nga ligjësitë bazë që i karakterizon ato, siç është pakthyeshmëria e proceseve. Në bazë të kësaj ligjësie, kur një inovacion adoptohet nga shoqëria, nuk ka më kthim pas.

Sot as që mund të bëhet fjalë që shoqëria njerëzore të kthehet në epokën pa internet. Dhe si rrjedhojë, as që bëhet fjalë të kthehemi pas në një botë pa IA. Interneti dhe inteligjenca artificiale janë sot dimensione të jetës njerëzore, njëlloj si të ushqyerit, ecja, puna, informimi, frymëmarrja, etj. Kështu që të kundërshtosh apo të refuzosh IA-në sot është njëlloj si të bësh luftë me mullinjtë e erës.

Zgjidhja? Duhet ta pranojmë dhe ta përdorim në atë mënyrë që të na shërbejë për të mirën e gazetarisë.

Le ta përdorim IA në dobi të gazetarisë

Mediat pararojë të botës, kur bëhet fjalë për IA jo vetëm që nuk e kanë parë atë me skepticizëm, por kanë rendur që të përdorin sa më shpejt mjetet e saj dhe ta shfrytëzojnë atë në dobi të tyre. Mënyrat, përvojat dhe teknikat për ta bërë këtë gjë janë të shumta. Mediat dhe gazetarët shqiptarë mund të përfitojnë mjaft prej shembullit të tyre.

Washington Post ka qenë një nga mediat e para në botë që përqafoi dhe përdori inteligjencën artificialë në dobi të punës së vet. Që në 2016-ën ajo vuri në shërbim të publikut sistemin e vet të IA me emrin Heliograf,  i cili u përdor me sukses për të shkruar artikuj të shkurtër në lidhje me Lojërat Olimpike të Rios ose në lidhje me zgjedhjet në SHBA. Ky sistem prodhon artikuj duke u bazuar në bazat e të dhënave dhe në përditësimet e tyre, si dhe duke sjellë informacionet më të fundit për medaljet e fituara ditë pas dite në olimpiadë apo duke përcjellë minutë pas minute rezultatet e zgjedhjeve dhe numërimin e votave. Një sistem të ngjashëm krijoi edhe New York Times. Tani nuk janë të rralla rastet në mediat perëndimore kur në krye ose në fund të një shkrimi gjen shënimin: “Prodhuar nga IA”.

Bloomberg-u nga ana e vet ka prodhuar sistemin e quajtur Cyborg, i cili po përdoret nga reporterët për të krijuar draftet paraprake të artikujve dhe lajmeve nga fusha e financës. Disa media të tjera po e përdorin IA për të prodhuar lajme të fushës së informacionit të dobishëm, siç janë ato për motin, për eventet sportive, për renditjen e ekipeve, për recetat e gatimeve apo për dietat e ndryshme.

Në rastin e mediave shqiptare, për artikuj që lidhen për shembull me recetën e gatimit të një ushqimi tradicional (siç është tava e kosit) mund të përdoret fare mirë Chat GPT. Sisteme të tjera të gjenerimit të imazheve mund të përdoren për prodhimin e fotove ilustruese të lajmeve apo artikujve (p.sh. Midjourney), siç po e bën me shumë sukses Ardian Vehbiu në blogun e vet të mirënjohur Peizazhe të Fjalës.

Disa media perëndimore po e përdorin IA edhe për të ndihmuar gazetarët në procesin e strukturimit të shkrimit, për prodhimin e titujve të efektshëm, për korrektimin e gabimeve drejtshkrimore apo sintaksore. Me shumë sukses po përdoret IA edhe për transkriptimin e intervistave të regjistruara apo për përkthimin e përmbajtjeve të ndryshme. Për këtë të fundit, për shembull, Deutsche Welle përdor një aplikacion të IA të quajtur DeepL i cili mundëson që përmbajtja online e kësaj medieje të jetë e disponueshme në shumë gjuhë të botës.

Në disa media IA u rekomandon përdoruesve përmbajtje të personalizuar bazuar në sjelljen, parapëlqimet dhe historikun e të lexuarit. New York Times përdor sistem automatik për të rekomanduar artikuj të përshtatur sipas interesave të lexuesit. Kurse BBC personalizon shpërndarjen e lajmeve në faqen e saj të internetit dhe në aplikacione, veçanërisht për përmbajtje rajonale ose që lidhen temën.

IA ndihmon në mënyrë të efektshme gazetarët edhe gjatë investigimeve të tyre apo gjatë analizës së të dhënave, duke shqyrtuar baza masive të dhënash për të zbuluar modele, prirje ose lidhje të fshehura.

The Guardian dhe  Le Monde po përdorin IA-në për të skanuar dokumente (p.sh. dokumente të rrjedhura nga zyrat, dosje gjyqësore, etj) për të gjetur modele dhe lidhje në nismat e tyre investigative.

IA mund të përdoret gjithashtu edhe për të luftuar lajmet e rreme, për të zbuluar media të manipuluara ose për të sinjalizuar përmbajtje potencialisht të dëmshme, si në rastin e Reuters që në partneritet me Meta, po përdor mjete të kontrollit të fakteve të mundësuara nga IA.

Në një qasje të ngjashme The Washington Post po përdor mjetin e saj të patentuar të IA-së “ModBot” për të zbuluar komentet negative ose jashtë teme në faqen e saj.

Shembujt dhe modelet janë të shumta. Ajo që mbetet për mediat shqiptare është që të mos humbasë më kohë dhe të përqafojë sa më shpejt mundësitë dhe kapacitetet që ofron inteligjenca artificiale.

Contact Information

Telephone: ++ 355 42 229800
Email: info@institutemedia.org
Adress: Rr. Andon Zako Çajupi,
Tirana, Albania

Media Research

  • Media Legislation
  • Media Development and Independence

Media Monitoring

  • Crime and court reporting
  • Education and training of journalists
  • Corruption reporting
  • Reporting on social issues

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias