Në debatin e datës 13 shkurt tek programi “Zonë e Lirë”, transmetuar live në televizionin Klan, mes dy figurave televizive të ftuara në program, Arjan Curri dhe Julian Zyla, u zhvillua një debat që tejkaloi çdo standard etik dhe profesional. Ky debat ekspozoi problematikën e njohur objektive të programeve të transmetuara drejtëpërdrejtë, si edhe vështirësitë e menaxhimit profesional të këtyre situatave.
Nga analisti Curri u përdoren në mënyrë pezhorative stereotipe si “sallate ruse”, “sallate kineze”, këto në përpjekje për të përçmuar debatuesin. Po ashtu, Curri përdori një gjuhë mysogjinike dhe seksiste, duke lëshuar edhe akuza personale dhe familjare, e duke e çuar kështu debatin në një tjetër nivel.
Nga analisti Zyla u përdor një gjuhë me stereotipe që aludonte për orientimin seksual të debatuesit, që sipas tij buronte nga përkatësia gjinore e anëtarëve që ky i fundit ndiqte në profilin e tij në Instagram.
Ky incident u raportua gjerësisht nga mediat https://fax.al/news/28864508/plas-te-cani-zyla-je-gay-curri-gruaja-jote-ankohet-per-performancen-tende-seksuale , një pjesë e madhe e të cilave e bëri këtë në mënyrë sensacionale, duke përdorur më së shumti tituj si: “Sherri/ Zyla: Kam vajzë 2 vjeçe. Curi: Vajza dhe djem bëjnë edhe homoseksualët”; “Seks para syve me femrën që do i zgjedhë Juliani, Curi sfidon live Zylajn”; “Gruaja jote na kërkon ndihmë”, “Ofendime mes analistëve: Je impotent, ke 35 djem në Instagram”; “Je mashkull impotent”! Degjeneron debati mes analistëve, Zyla: 35 meshkuj në Instagram, dashuron ndonjë prej tyre?; “Çuri: Ke pasur krizë në familje, shokët e tu ma thanë. Më sill një femër të bëj seks publik” etj, etj. Kjo mënyrë raportimi me elemente të qartë të gjuhës së urrejtjes, si edhe e pasur me stereotipe gjinore dhe seksuale bie ndesh me Kodin e Etikës së Gazetarit dhe me standadet profesionale të raportimit gazetaresk.
Një pjesë tjetër e mediave, ndërsa e botuan shkëmbimin e replikave, kishin një qëndrim më kritik në titujt e përdorur, duke vënë në dukje në titujt e tyre faktin që debati kishte degraduar në sherr dhe fyerje personale ose kishte degjeneneruar në nivele të ulëta.
Rasti i mësipërm duhet të tërheqë vëmendjen e komunitetit të gazetareve, për të shmangur situata dhe shmangie të tilla serioze nga praktikat dhe stardardet e raportimit etik.