Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact
No Result
View All Result
Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias
No Result
View All Result
Home IA
Përdorimi i IA në gazetari dhe rrjete sociale:Më të mençur, apo më të pabesueshëm?!

Përdorimi i IA në gazetari dhe rrjete sociale:Më të mençur, apo më të pabesueshëm?!

in IA

Lutfi Dervishi

FrederikRreshpja, poeti i njohur shkodran, thuhet se në sallën e gjyqit gjatë diktaturës deklaroi me ironi se nuk pranonte akuzën sepse “ajo kishte shumë gabime ortografike” Një anekdodë gjerësisht e përhapur është se një presje i shpëtoi jetën Leninit; urdhëri ishte: “të lirohet e pamundur, të pushkatohet” por presja u vendos gabim: “të lirohet, e pamundur të pushkatohet”

Sot, falë Inteligjencës Artificiale (IA), probleme të tilla sa vijnë dhe bëhen gjithnjë e më të rralla. Korrigjimi automatik i tekstit eliminon gabimet drejtshkrimore, (bashkë me to dhe nevojën për redaktor letrar?) dhe kursen atë që gabimisht mendojmë se e kemi pa fund, kohën.

IA po sjell një revolucion në cilësinë e shkrimit, nga evitimi i lapsuseve deri te formulimi i pyetjeve dhe teksteve, por ndikimi i saj në media dhe komunikim shkon përtej korrigjimit të gabimeve.

Përdorimi i IA, tashmë është realitet dhe nuk ka lidhje vetëm me gazetarinë dhe komunikimin. Një mjek thotë se gjysmën e kohës tani e kalon “që t’i heq pacientit njohuritë dhe recetat që ka marrë nga chatgpt” Përdorimi i IA sa vjen dhe i ngjan facebook për nga masiviteti i perdorimit. Por pak po flitet për të, aq pak sa duket se ky revolucion nuk po ndodh.

Në këtë mjedis të ri ku “roboti i mençur e “gazetar” bashkëjeton me gazetarin, pyetja që nuk po merr përgjigje të qartë është: çfarë po humbasim dhe çfarë po fitojmë? Nga njëra anë fitojmë kohë dhe prodhojmë më shumë; nga ana tjetër, rrezikojmë kreativitetin, humorin, satirën, dhe kuriozitetin njerëzor që e bën gazetarinë një zeje unike, që nobelisti Gabriel Garcia Marques e quante “profesionin më të mirë në botë”. Tek e fundit roboti nuk ka as zemër, as ndjenjë as pasionin që ka gazetari. Një raportim me IA për djegien e fushë mbetjeve në Elbasan sado fjali të bukura të ketë mbetet i mangët pa përshkrimin e situatës nga gazetari dhe pa zërat e banorëve që vuajnë tymin toksik dhe të fjalën e autoriteteve përgjegjëse për situatën. Në anën tjetër edhe mohimi dhe qëndrimi: nuk e përdor IA, nuk ja kam besën etj. nuk sjell asnjë dobi.  Janë të shumtë ata që bien dakord se IA duhet parë si mjet ndihmës, jo si zëvendësim i gazetarit. 

Tek e fundit çfarë dobie ka që gazetarët të mos e përdorin në një kohë që konsumatorët po e bëjnë një gjë të tillë?!

Në rrjetet sociale, gjithnjë e më shumë është prezente inteligjenca artificiale. Nuk është fjala për algoritmet që përcaktojnë se çfarë do të lexosh e çfarë jo, çfarë bëhet virale dhe çfarë fshihet “shtatë pash nën dhé”. Platforma si ChatGPT, Gemini etj kanë bërë të mundur që çdokush të formulojë tekste pa gabime dhe me stil pothuajse profesional. Një vëzhgim i shpejtë i rrjeteve sociale tregon se papritur janë shfaqur njerëz që kurrë më parë s’kishin bërë postime publike, e megjithatë tani po publikojnë ese politike të gjata, analiza filozofike ose reagime publike mbresëlënëse. Gazetari Isa Myzyraj vëren me humor se shumë prej këtyre postimeve duket qartë që “janë me ChatGPT”.  Postimet e tyre kanë një stil e fjalor që ata vetë nuk e kaë  përdorur kurrë më parë në profilet e tyre. Madje, ai shprehet se arrin t’i pikasë këto shkrime të gjeneruara shumë shpejt: për shembull  nga përdorimi i pazakontë i shenjave të pikësimit ose i trajtave të fjalisë. Perfeksioni, metaforat dhe analogjitë mund të tradhtojnë origjinën artificiale të tekstit. Myzyraj shkruan për një truk të thjeshtë: përdorimin e shenjës “-” në mes të fjalëve. Sapo sheh “-” ai, menjëherë dyshon që teksti është prodhuar nga ChatGPT. Sepse më parë këta “autorë” kurrë nuk e kanë  përdorur këtë shenjë.

Po sikur të fiken dritat?

Gazetari dhe publicisti i njohur Enver Robelli gjithashtu ka reaguar ndaj këtij fenomeni, duke i quajtur autorët e tillë “mençurakë të rinj” që janë “aq të bindur në budallallëkun e tyre, saqë besojnë se shkresurinat e përpiluara me ChatGPT nuk i vëren askush”. Ai vëren me ironi se po të ndalej për një ditë ChatGPT, do të “ndaleshin” edhe këta autorë të papritur – fjalët e tyre do të shterronin, duke i kthyer në përrallë (pra, do të ekspozoheshin që s’ishin veçse flluska sapuni).

Këto komente/vëzhgime pasqyrojnë një skepticizëm në rritje ndaj vërtetësisë së përmbajtjes që konsumohet online. Nuk mungojnë as përdorues të zakonshëm që hedhin dyshime nëse postimi është shkruar nga njeriu apo nga roboti. Dhe “bashkë me të thatin digjet dhe i njomi”. Lexuesit tashmë dyshojnë edhe tek ata që kanë shkruar para periudhës së ChatGPT.

Sot, nuk ndesh vetëm postime “inteligjente” dhe pa asnjë gabim, por edhe komentuesit janë “mençuruar” brenda natës. Komentet kanë nisur të jenë pikante dhe për “çudinë” e të gjithëve respektojnë 100% rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

IA po ndikon edhe te “ushqimi” që merr audienca në rrjetet sociale. Për shembull, algoritmet e rrjeteve si Facebook, Instagram apo TikTok përdorin IA për të vendosur çfarë përmbajtje shfaqet më shpesh në “feed”-in e secilit përdorues. Kjo do të ishte pozitive nëse algoritmet do të promovonin lajme cilësore e të verifikuara; mirëpo, në praktikë shpesh ndodh e kundërta: përmbajtjet që nxisin emocione të forta (revolte, trishtim, zemërim,) marrin prioritet, pa marrë parasysh nëse janë të vërteta ose jo. Si rezultat, rrjetet sociale janë bërë terren pjellor për dezinformim dhe teori konspirative, të cilat viralizohen lehtë. IA e ka komplikuar edhe më tej këtë peizazh, sepse tani lajmet e rreme mund të gjenerohen automatikisht në sasi dhe forma të ndryshme, duke e vështirësuar gjithnjë e më shumë dallimin e së vërtetës nga gënjeshtra.

Eshtë e qartë se IA në rrjetet sociale ka demokratizuar krijimin e përmbajtjes, por njëkohësisht ka krijuar dyshime per çka lexojmë. Disa përdorues më me përvojë madje zgjedhin të lënë gabime drejtshkrimore qëllimisht në statuset e tyre, pikërisht që të tregojnë se postimi nuk është prodhuar nga një IA, një praktikë ironike që e përmend gazetari Emirjo Senja: “Dikur e kontrollonim shkrimin me kujdes që të mos bënim gabime; tani (me sa duket) duhet lënë ndonjë gabim, që të kuptohet se nuk është shkruar me ChatGPT!”. Kjo anekdotë tregon klimën e dyshimit që po krijohet: perfeksioni në stil ngjall pikëpyetje te lexuesit e sotëm.

Dezinformimi dhe etika: sfida në epokën e IA

Sfidat më të mëdha që sjell inteligjenca artificiale lidhen me etikën profesionale dhe rrezikun e dezinformimit. Kurrë më parë s’ka qenë kaq e lehtë të fabrikosh një “lajm”, që nga teksti e deri te imazhi apo videoja shoqëruese. Teknologjitë deepfake mund të gjenerojnë video ku një person publik duket sikur po thotë diçka që s’e ka thënë/menduar kurrë. Mjekë të njohur shqiptarë kanë rënë pre e përdorimit të imazhit dhe zërit të tyre për qëllime komerciale. Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti vetëm disa ditë më parë paralajmeroi në llogarinë e tij në facebook: “Mos besoni asnjë faqe që përdor emrin dhe imazhin tim për të shitur ilaçe të ndryshme! Janë të gjitha mashtrime për t’ju marrë paratë. Unë nuk bëj kurrë reklamë”. Alimehmeti nuk është mjeku i vetëm që paralajmëron konsumatorët nga rreziku.

Gjeneruesit e imazheve me IA krijojnë foto që mund të mashtrojnë edhe syrin e stërvitur të një fotografi profesionist. Është koha që nuk i beson lehtë as syve të tu. Një rast i freskët ishte ai i fotografisë së rreme nga lufta mes Izraelit dhe Iranit ku dukej godina e Mossadit e shkatërruar. Vetëm pas verifikimit nga ekspertët u zbulua se kjo foto ishte krijuar nga inteligjenca artificiale, duke ekspozuar detaje të dyshimta në imazh që s’përputheshin me realitetin. Besimi “i verbër” tek fotografia, dikur prova më e pakontestueshme e një ngjarjeje, tani është tronditur.

Ka një debat në rritje se publikut duhet t’i tregohet qartë kur një përmbajtje është gjeneruar nga IA.  Kjo për të mos e mashtruar lexuesin sikur pas tekstit apo fotos fshihet puna e një gazetari në terren, kur në fakt është produkt i robotit.

Edhe në Shqipëri, kodi i etikës i gazetarëve është përditësuar, së fundmi, me një kpitull  të posaçëm mbi përdorimin e inteligjencës artificiale. Ky kapitull kërkon transparencë (d.m.th. mediat të deklarojnë si dhe ku është përdorur IA dhe të identifikojnë përmbajtjet e gjeneruara prej saj), mbikëqyrje njerëzore (asnjë material i prodhuar nga IA nuk duhet botuar pa miratimin e një gazetari a redaktori përgjegjës), masa mbrojtëse etike (përdorimi i IA s’duhet të cënojë parimet profesionale) dhe në fund, sqaron se përgjegjësia për çdo përmbajtje mbetet te stafi editorial, pavarësisht nëse e krijoi IA apo njeriu. Me fjalë të tjera, IA nuk duhet lejuar të bëhet alibi për lajme të pasakta ose shkelje etike.  Dikush është përgjegjës dhe përgjegjësinë do ta mbajë gjithmonë redaksia që e publikon lajmin.

Dikur për të marrë informacion burimi i vetëm ishte media tradicionale, me pas erdhi interneti dhe rrjetet sociale. Tashmë kemi dhe IA. Nëse njerëzit marrin informacion direkt nga IA çfarë roli mbetet për mediat dhe gazetarët? A duhet që gazetarët t’i përshtaten këtij realiteti të ri?

Nuk është pyetje që mund t’i përgjigjesh lehtë, por vetë chat GPT dha këtë përgjigje:

“Po, gazetarët duhet patjetër të përshtaten. Inteligjenca artificiale mund të japë informacion, por nuk zëvendëson gazetarinë që hulumton, verifikon dhe jep kontekst. Në epokën e IA, roli i gazetarëve është të dallojnë të vërtetën nga e ngjashmja me të vërtetën. Kush nuk përshtatet, rrezikon të mbetet thjesht spektator i lajmit.”

Contact Information

Telephone: ++ 355 42 229800
Email: info@institutemedia.org
Adress: Rr. Andon Zako Çajupi,
Tirana, Albania

Media Research

  • Media Legislation
  • Media Development and Independence

Media Monitoring

  • Crime and court reporting
  • Education and training of journalists
  • Corruption reporting
  • Reporting on social issues

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Home
  • About Us
  • Staff
  • News
    • Ami News
    • Media Development
    • Intervista
    • Promoting constructive journalism
  • Publications
  • Projects
  • Contact

@2025 Albanian Media Institute | Instituti Shqiptar i Medias