Vendimi për të vënë në punë sisteme IA për gazetarinë në redaksi është një zgjedhje strategjike që ka pasoja të rendësishme për proceset e brendshme. Vendimi mund të ketë edhe implikime më të gjera për shoqërinë dhe profesionin, përfshi perceptimet publike për gazetarinë, cilësinë dhe kushtet e punës në ekosistemin mediatik (përfshi freelancerat, fotografët, ilustruesit, moderatorët, kontrolluesit e fakteve, etj.), por mund edhe t’i japë formë infrastrukturës së komunikimit digjital e formimit të marrëdhënieve e varësive të reja.
Vendimi për të vënë në punë sisteme IA për gazetarinë nuk duhet të ketë si shtysë vetëm teknologjinë dhe anën komerciale, por edhe misionin e redaksisë, në kuptimin që do të ndihmojë arritjen e synimeve, por edhe do të qëndrojë paralel me vlerat e asaj redaksie. Kjo do të thotë se duhet të harmonizohet me vizionin e asaj media dhe me synimet e saj, modelin e saj të biznesit, sfidat me të cilat përballet, rolin demokratik të medias, promovimin e të drejtave të njeriut dhe etikës profesionale, si dhe rolin e teknologjisë tek secila nga këto.
Sistemet e IA mund të përdoren për të kryer detyra shumë automatike, duke çliruar kohë dhe burime për të tjera punë. Megjithatë, edhe për këto detyra, sidomos në rastin e automatizimit dhe përdorimit të IA gjenerative, kërkohet mbikqyrje editoriale për të shmangur procese dhe produkte të pasakta apo të anshme. Për shembull, tekstet e shkruara mirë, që duken normale duhen kontrolluar se mos përmbajnë pretendime të pasakta, të paplota, apo çorientuese për lexuesin dhe që të identifikohen, kërkojnë mbikqyrje editoriale. Mbikqyrja editoriale është veçanërisht e rëndësishme për detyra ku produktet janë shumë sensitive (p.sh. ato që kanë pasoja konkrete për individët) ose me pasoja të mëdha (p.sh., ato që mund të ndikojnë shoqërinë, të tilla si rezultatet e zgjedhjeve). Formalizimi i vlerave profesionale nuk mundet në asnjë mënyrë që të zëvendësojë mbikqyrjen dhe kontrollin editorial.
Puna me sistemet e IA për gazetarinë shpesh kërkon shprehi që shkojnë përtej trajnimit ekzistues që kanë gazetarët. Për pasojë, redaksitë duhet të ofrojnë trajnime të vazhdueshme për t’i përdorur ato (përfshi për drejtuesit), me programe që sjellin bashkë ekspertët e teknologjisë dhe gazetarët, që stimulojnë ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut (të tilla si privatësia dhe e drejta për mosdiskriminim), si dhe etika profesionale.
Media gëzon mbrojtje në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe kjo mbrojtje vjen edhe me përgjegjësi dhe detyra ndaj gazetarëve dhe publikut në përgjithësi. Edhe të drejtat edhe përgjegjësitë e medias shtrihen edhe tek teknologjia, pra edhe tek përdorimi i teknologjisë digjitale në mënyrë të përgjegjshme dhe të sigurt, pra në përputhje me etikën e gazetarisë dhe duke respektuar te drejtat e njeriut të të tjerëve.