Rëndësia e pasqyrimit të diversitetit në media
Më 28 prill 2022, Instituti Shqiptar i Medias organizoi konferencën me temë “Pasqyrimi i diversitetit në media: përse dhe si?!
Konferenca është pjesë e aktiviteteve të Projektit ‘Reporting Diversity Network 2.0”, që zbatohet prej vitit 2020 në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë. Projekti synon që të zëvendësojë narrativën përçarëse dhe gjuhën e urrejtjes kryesisht me sfond etnik, gjinor dhe fetar, duke dhënë ndihmesën e tij në promovimin e vlerave të bashkëjetesës, tolerancës dhe fqinjësisë së mirë.
Rrjeti i Raportimit të Diversitetit 2.0 është një vazhdimësi e rrjetit të krijuar në 1997, kohë në të cilën është hartuar edhe Manuali i Parë i Raportimit të Diversitetit dhe themelimi i Media Diversity Institute në Londër. Qëllimi i Rrjetit është të nxisë raportimin e saktë dhe përfaqësimin dinjitoz në media të diversitetit me sfond racor, etnik, gjinor, fetar etj.
Instituti Shqiptar i Medias (ISHM), si pjesë e Rrjetit përpiqet të përmirësojë raportimin e diversitetit në media duke ndjekur një qasje proaktive, që do të thotë se krijon hapësirën për pasqyrimin e shoqërisë në media, sikurse është në të vërtetë. Pra, duke i mëshuar faktit që të gjithë jemi të ndryshëm, kemi besime dhe mendime të ndryshme, etni të ndryshme, por kemi një të drejtë të përbashkët: të paraqitemi me dinjitet, profesionalizëm dhe në mënyrë të saktë në media. Siç thekson edhe Remzi Lani, Instituti Shqiptar i Medias, “Shqipërisë më shumë sesa raportimi për minoritetet, i duhet raportimi për diversitetin në shoqëri, sepse media ka për detyrë ta pasqyrojë botën e larmishme ashtu siç është, me etni, besime fetare dhe orientime gjinore, etj”.
Ndjekjen e qasjes proaktive e reflekton edhe konferenca, në të cilën u ftuan përfaqësues të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komiteti për Pakicat Kombëtare, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, akademia, organizata të shoqërisë civile që mbulojnë target grupe si, gratë në media, gratë në shkencë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, komuniteti LGBTI+, etj. Të pranishëm ishin gazetarë, studentë, mësues dhe përfaqësues të organizatave rinore dhe mediatike.
Situata aktuale e pasqyrimit të diversitetit në media
Pavarësisht institucioneve dhe target-grupeve të ndryshme që të ftuarit përfaqësonin, ata kanë një shqetësim të përbashkët: raportimi i gabuar i diversitetit në media, që shpeshherë përmban gjuhë urrejtjeje, anshmëri, gjuhë fyese, gjuhë sensacionaliste, gjuhë përçmuese dhe seksizëm apo mizogjini. Prof. Rrapo Zguri theksoi se “edhe në mediat e komunikimit masiv në Shqipëri, antipatitë e bazuara në përgjithësime të gabuara janë të pranishme në portretizimin apo pasqyrimin e tjetritapo e të ndryshmit”.
Po ashtu, problematikë tjetër e identifikuar në raportimin e diversitetit në media janë “paragjykimet si një formë strategjike e vetëmbështetjes”, që shfaqen në fazën e zgjimit agresiv dhe atë të “fjetjes”. Prania e diskursit të shumicës apo “sintaksa e hegjemonisë”, që bëhet shkas për mohimin e të drejtave të ‘pakicës’ për t’u dëgjuar dhe përfaqësuar në media dhe shoqëri. Linja të tjera problematike të diskursit mediatik lidhen me origjinën fetare apo etnike, retorikën e superioritetit etnik, fetar, krahinor, portretizimin kolektiv në vend të atij individual, gjuhën eufemiste dhe abeliste, etj.
Suela Lala, nga “Fondacioni së Bashku” paraqiti raste të raportimit të papërshtatshëm të personave me aftësi të kufizuara në media, si për shembull përdorimin e eufemizmave si “me aftësi ndryshe”, apo me “nevoja të veçanta”, ose terma denigrues si ”qorr”, “shurdh”. Nga ana tjetër, kronika që i paraqesin në ekstremin dramatik, me gjuhë mëshiruese ose me atë të supertalenteve, sipas saj nuk pasqyrojnë realitetin, por e stigmatizojnë këtë target-grup dhe nuk e përfaqësojnë siç është në të vërtetë.
Suela Musta nga “Albanian Women in Audiovisual” paraqiti gjetjet e studimit të kryera gjatë periudhës maj-qershor 2021, për gratë dhe vajzat në media, të cilat vijojnë të mbeten të nënpërfaqësuara dhe të keqpërfaqësuara. Mbizotëron përdorimi i gjuhës seksiste, stereotipat gjinorë përforcohen, dhe gratë e vajzat viktima të dhunës në familje apo abuzimeve seksuale fajësohen, ndërkohë që dhunuesit dhe agresorët justifikohen. Po ashtu, tejet problematike mbetet qasja sensacionale dhe mosrespektimi i së drejtës për privatësi.
Problematik mbetet edhe raportimi mbi temat fetare, ku sipas Sokol Lulgjuraj, nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, media raporton në mënyrë të njëanshme dhe mesazhet shtrembërohen apo përdoren jashtë kontekstit ku janë thënë. Ngutja për të sjellë lajmin e fundit, nxit raportimin në kohë të menjëhershme dhe rrit rrezikun për raportim të pasaktë, mosverifikim të informacioneve apo deklaratave. Mediat rezultojnë të jenë selektive dhe jogjithëpërfshirëse në raportimin e aktiviteteve fetare, që sipas tij vjen pasi “media nuk ka interes ekonomik” të paraqesë një tubim paqeje të besimtarëve të të gjitha feve.
Sead Kazanxhiu, nga Komiteti i Pakicave Kombëtare, thekson se media raporton “në mënyrë ekzotike, paragjykuese dhe diskriminuese” tematikat që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare. Ai thekson se mediat dhe gazetarët duhet të jenë më të thelluar dhe profesionalë kur raportojnë për pakicat. Kur bëhet fjalë për raportimin e pakicave vërehet e ashtuquajtura “hate silence” ose “heshtja e urrejtjes” që tregon për mungesën e raportimit apo përfaqësimit në media të tyre. Neglizhenca dhe harresa janë po aq të dëmshme sa raportimi i gabuar.
Nga ana tjetër, Xheni Karaj, nga Aleanca LGBT ngre shqetësimet për raportim të papërshtatshëm në media të tematikave që prekin komunitetin LGBTI+, ku vërehet se deklaratat nxirren jashtë kontekstit, titujt kanë natyrë sensacionale dhe moderatorët e programeve nuk tregohen profesionistë dhe të paanshëm gjatë programeve televizive. E gjithë kjo mungesë profesionalizmi ndikon në përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit dhe individëve të veçantë të tij, pasojat e së cilës mund të jenë edhe sulmet fizike apo përndjekja në jetën reale. “Një raportim për klikime, apo thjesht një titull për një gazetar në redaksi, mund të kthehet në një makth në jetën reale të një personi”, – ka shtuar ajo.
Situata aktuale e raportimit të diversitetit në media dukshëm paraqitet problematike, për të gjitha kategoritë shoqërore pa dallim. Raportimi në mënyrë joprofesionale dhe joetike, veçanërisht kur përmban gjuhë urrejtjeje, fyerje, përçmim dhe njëanshmëri përforcon stereotipat negativë dhe të dëmshëm për “tjetrin”, kushdo qoftë ai/ajo, krijon ndasi shoqërore dhe nxit dhunën, e cila mund të çojë më pas në diskriminim apo krime të urrejtjes.
Sugjerime për përmirësimin e raportimit të diversitetit në media
Përveç ndarjes së situatës aktuale, qëllimi i konferencës ishte që të ftuarit të jepnin edhe sugjerimet për përmirësimin e raportimit të diversitetit në media. Kështu, Arben Muka, nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, theksoi se përveç shqyrtimeve të ankesave dhe të përmbajtjeve, një qasje efektive është ajo e nxitjes së informimit dhe ndërgjegjësimit për raportimin e duhur të diversitetit, si edhe nxitja për angazhim vetërregullues. Gjoba ndaj OSHMA-ve, si një masë ndëshkuese e parashikuar me ligj, nuk jep gjithnjë rezultatin e pritur, pasi e njëjta shkelje mund të ndodhë sërish nga i njëjti subjekt. Në këtë rast, edukimi dhe jo ndëshkimi duken qasje më premtuese, ndonëse mbetet për t’u sqaruar më tej se çfarë përfshin ky edukim dhe si realizohet konkretisht në raste të shkeljeve të kodit etik të gazetarisë.
Nga ana tjetër, Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, theksoi se një praktikë e mirë e përmirësimit të raportimit të diversitetit në media është “reagimi i menjëhershëm” fill pasi ka ndodhur një incident apo një raportim mediatik i gabuar. Sipas tij, reagimi në kohë jep mundësi që të korrigjohet lajmi pa u bërë viral dhe pa shkaktuar “një dëm më të madh”, si edhe për faktin që është me efektiv në kohë reale.
Lidhur me përfaqësimin e grave dhe vajzave në media, Blerjana Bino nga Qendra “Science and Innovation for Development (SCI-DEV) & Network of Albanian Women in STEM, thekson se duhet rritur prania e grave në STEM në media dhe të ndiqet një qasje proaktive ndaj identifikimit dhe dhënies së hapësirës mediatike. Edukimi dhe ndërgjegjësimi, si dhe monitorimi dhe reagimi mbeten format aktive të përmirësimit të raportimit të grave dhe vajzave në media. Ndërkohë, Suela Musta, thekson se në Kodin e ri të Transmetimeve duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë seksizimit dhe mizogjinisë në mediat audiovizive, me synimin për t’i pakësuar sa më shumë që të jetë e mundur.
Suela Lala shprehet se përmirësimi i raportimit ndaj personave me aftësi të kufizuara fizike, shqisore dhe mendore mund të përmirësohet duke shmangur përdorimin e eufemizmave, duke raportuar në mënyrë të balancuar, jo sensacionaliste, si edhe të raportohet nga qasja e të drejtave të njeriut jo nga qasja mbrojtëse që i paraqet si kategori për t’u mëshiruar.
Përmbledhtas, praktika të tjera për përmirësimin e raportimit të diversitetit në media janë reagimi shoqëror dhe mediatik i menjëhershëm, kjo nëpërmjet raportimeve apo deklaratave publike; marrja e masave më të forta ndaj televizioneve kombëtare që hapësirën televizive e shfrytëzojnë për të përforcuar stereotipat negativë, seksizmin, mizogjininë apo gjuhën denigruese ndaj grupeve shoqërore të ndryshme; edukimi mediatik në shkallë të gjerë për të gjitha grupmoshat, si edhe raportime te ‘Këshilli i Ankesave”, apo ‘Aleanca për Media Etike”.