Si gërryhet — dhe si mbrohet — liria e medias!
Nga Brankica Petković
Së fundmi, kam drejtuar një studim të SEENPM mbi Të Ardhmen e Mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, si edhe pjesën sllovene të projektit europian për median dhe demokracinë, MeDeMAP. Këto projekte më dhanë njohuri që konfirmojnë se liria e medias dhe e shprehjes mbeten thellësisht të kontestuara, të brishta dhe nën presion, jo vetëm në të ashtuquajturat “demokraci të brishta”, por gjithnjë e më shumë kudo në botë.
Ajo që po shohim nuk është vetëm presion mbi gazetarinë, por erozioni strukturor i kushteve që e bëjnë të mundur lirinë e shprehjes. Rreziku nuk është më vetëm shtypja, por zëvendësimi. Regjimet joliberale nuk censurojnë më – ato e mbushin hapësirën publike me zhurmë, narrativa urrejtjeje, gënjeshtra të organizuara, gazetari të kapur dhe pluralizëm të rremë.
Një nga përfundimet më domethënës nga studimi mbi të ardhmen e mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi është paradoksi midis rritjes së numrit të mediave dhe rënies së mprehtë të numrit të studentëve të gazetarisë dhe të vetë profesionit të gazetarit. Kjo mospërputhje sugjeron një peizazh mediatik që po rritet në sasi, por jo në cilësi apo qëndrueshmëri, shpesh i karakterizuar nga kapja politike dhe ekonomike. Paralelisht, studimi i MeDeMAP mbi përfshirjen qytetare nxjerr në pah ndjesi të përhapura mosbesimi dhe shkëputjeje nga mediat, duke reflektuar një krizë globale të legjitimitetit demokratik.
A po e humbasim betejën?
Do të thoja se beteja është ende larg humbjes, por pa dyshim është në një gjendje të brishtë. Ka shenja të qarta erozioni: tkurrje të hapësirave për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, rritje të polarizimit, përhapje të dezinformimit, pasiguri ekonomike dhe sulme të shumta ndaj gazetarëve (përfshirë goditjet e synuara të Izraelit ndaj redaksive në Gaza dhe Jemen muajt e fundit). Megjithatë, shohim edhe shenja rezistence: qytetarë aktivë, lëvizje popullore dhe ishuj të gazetarisë së pavarur që përpiqen të mbajnë gjallë dialogun demokratik. (Për shembull, më vonë këtë muaj, mbi 40 redaksi të pavarura nga 20 vende evropiane do të mblidhen në Pragë për një Samit të Inovacionit Mediatik të organizuar nga Transitions.) Protestat studentore në Serbi dhe forumet qytetare në vendet e BE-së pjesëmarrëse në MeDeMAP tregojnë se kërkesa për lirinë e medias dhe për demokraci mbetet shumë e gjallë.
Rrëshqitja e demokracisë
Situata në SHBA dhe në “demokracitë e konsoliduara” ka ndikim të thellë në mbarë botën. Dobësimi i normave për lirinë e medias në demokracitë e vjetra nxit taktikat autoritare gjetkë, me qeveri që përdorin tregjet mediatike si armë, përmes përqendrimit të pronësisë dhe ndërhyrjeve politike. Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë veçanërisht të prekshme nga kjo rrëshqitje demokratike, e ndërlikuar edhe më shumë nga tërheqja e donatorëve të huaj kyç dhe mbyllja e mediave si Al Jazeera Balkans – zhvillime që kanë pasoja shkatërruese për qëndrueshmërinë e mediave të pavarura dhe vendet e punës të gazetarëve.
Duhet të reflektojmë dhe të mësojmë nga kjo situatë për të zhvilluar modele të reja të ndërtimit dhe qëndrueshmërisë së mediave të pavarura, të cilat të mos varen plotësisht nga ndihma e huaj, por të jenë më shumë të rrënjosura në angazhimin me komunitetet dhe qytetarët e tyre.
Roli i Evropës
Evropa duhet të udhëheqë përpjekjet për rimarrjen e sistemeve demokratike të medias. Por është e rëndësishme të shmangim perceptimin e Evropës (apo ndonjë rajoni tjetër) si një model të përsosur. Sfida ekzistojnë kudo, dhe ekosistemet demokratike të medias janë të mira publike globale që kërkojnë përgjegjësi të përbashkët dhe mësim të ndërsjellë.
Institucionet evropiane kanë kuadro ligjore, mjete dhe detyrime për të mbështetur pluralizmin mediatik, forcuar pavarësinë e mediave publike, dhe rregulluar platformat e mëdha teknologjike, por këto duhet të shoqërohen me angazhim të thellë me kontekstet lokale dhe partneritete të vërteta që mbështesin dhe amplifikojnë zërat demokratikë lokalë, brenda Evropës dhe më gjerë.
Pikat e rezistencës
Kush e mbron demokracinë sot? Lista nuk është e shkurtër: institucione të pavarura që ruajnë shtetin e së drejtës; gazetarë që rrezikojnë sigurinë dhe karrierën e tyre; aktivistë të shoqërisë civile që mobilizojnë ndërgjegjësimin; arsimtarë; platforma dhe inovatorë mediatikë të pavarur; dhe gjithnjë e më shumë vetë qytetarët — përmes forumeve deliberative, lëvizjeve protestuese dhe kërkesës për transparencë.
Studimi ynë i MeDeMAP tregon se pjesëmarrja qytetare mund të rindërtojë besimin dhe llogaridhënien, por kjo kërkon angazhim gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm nga mediat dhe gazetarët.
Mbrojtja e vijës së parë të lirisë së medias kërkon përpjekje të përbashkëta. Kemi nevojë urgjente për strategji të integruara për të rindërtuar besimin, për të investuar në edukimin mediatik dhe median me interes publik, për të mbrojtur pavarësinë redaksionale, dhe mbi të gjitha, për të krijuar hapësira ku qytetarët të mos jenë vetëm konsumatorë të medias, por bashkëkrijues të një kulture demokratike.
Ta mbrosh vijën do të thotë ta bësh atë më të gjerë, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
Brankica Petković është studiuese në Institutin e Paqes, anëtar i SEENPM. Ajo ka konceptuar dhe koordinuar një numër projektesh kërkimore të SEENPM mbi median gjatë dy dekadave të fundit. Artikulli është një version i redaktuar i kontributit të autores në konferencën “Our Media”, mbajtur në Sarajevë më 2 dhe 3 tetor.

Ky artikull u realizua me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.