Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë të klimës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën, por edhe për të prodhuar një konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.
Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.
Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.
Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun. Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.
Ky artikull u botua me mbështetjen e “SMART BALKANS: Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor,” një projekt rajonal zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Studime dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e artikullit është përgjegjësia e vetme e zbatuesve të projektit dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
