Intervistë me Kelly Walls, drejtoreshë ekzekutive dhe Margaret Holborn, shefe e sektorit të arsimit të mesëm dhe të lartë, The Guardian Foundation
Mund të na thoni shkurtimisht cili është misioni dhe puna e Fondacionit Guardian, si dhe komponentët e programeve të edukimit mbi median të fondacionit tuaj?
Fondacioni Guardian është një organizatë e pavarur bamirësie që mbështet mediat e kërcënuara nga faktorë të ndryshëm, promovon diversitetin në media, dhe ndihmon fëmijët dhe të rinjtë që të angazhohen në raportimin e lajmit. Gjatë punës sonë me një gamë të gjerë individësh, komunitetesh e organizatash, kemi hartuar programe mësimore dhe trajnimi për të bërë të mundur realizimin e ndryshimeve pozitive në një sërë fushash.
Kemi dy programe për edukimin mbi lajmin dhe informacionin; Qendra Arsimore Guardian (The Guardian Education Centre) – që harton dhe zhvillon seminare sa më interesante dhe tërheqëse mbi lajmet dhe median në shkolla, universitete, për mësues dhe prindër, si dhe projekti NewsWise (MediaZgjuar) për prezantimin e fëmijëve të moshës 7-11 vjeç me lajmin – projekt që ka fituar disa çmime në këtë fushë. Të dy programet synojnë t’u japin të rinjve aftësi dhe njohuri për të analizuar në mënyrë kritike lajmet që marrin, për të mos rënë pre e dezinformimit. Këto programe i mësojnë fëmijët dhe të rinjtë edhe si të raportojnë mbi situata të ndryshme, dhe të shprehin opinionin e tyre mbi çështje të komunitetit.