
Instituti Shqiptar i Medias, bashkë me partnerët e Reporting Diversity Network 2.0 ka hapur thirrjen për aplikime për projekte që synojnë të kundërshtojnë gjuhën e urrejtjes dhe të përmirësojnë përfaqësimin e diversitetit.
Thirrja është pjesë e projektit Reporting Diversity Network 2.0, i iniciuar me synimin për të ndikuar me efektivitet përfaqësimin mediatik të etnise, fesë dhe gjinisë në Ballkanin Perëndimor. RDN 2.0 synon të bëjë më aktiv rolin e shoqërisë civile në kundërshtimin e narrativave ndarëse dhe në zëvendësimin e tyre me diskursin pozitiv duke kontribuar në vlerat e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe respektimin e diversitetit social;
Objektivi i përgjithshëm i thirrjes për propozime është të rrisë efektivitetin e organizatave të shoqërisë civile (OShC-ve) në ndërveprimin me mediat, me qëllim që të reduktohen stereotipet dhe imazhet negative të të tjerëve.
Objektivat specifike të thirrjes për propozime janë:
– të forcojë pozicionin e OShC-ve lokale në mbrojtjen e të drejtave të përfituesve të tyre në media;
– të ofrojë mundësi për OShC-të lokale për të ndikuar në perceptimet e publikut;
– të rrisë numrin dhe cilësinë e mesazheve të përcjella tek audienca;
– të përmirësojë vizibilitetin dhe praninë në media të çështjeve të grave dhe të drejtave të pakicave;
– të rrisë ndërgjegjësimin dhe të kontribuojë në perceptimet pozitive për të tjerët si dhe ne tolerancën dhe gjithepërfshirjen në rajon
Llojet e aksioneve që janë të pranueshme për financim (lista është e hapur dhe mund të përfshijë aktivitete të tjera të projektit për sa kohë që ato kontribuojnë në objektivat e përmendura më lart):
a) Fushata avokuese dhe ndërgjegjësuese;
b) Prodhimi i përmbajtjes mediatike;
c) Fushatave kundër narrativave të urrejtjes në sferën publike;
d) Krijimi i portaleve web specifike që mundësojnë përfshirjen e qytetarëve, aksesin në informacion dhe debatin publik;
e) Konsultime, tryeza dhe takime me palët e interesuara vendase;
f) Lehtësimi i dialogut për politika me palët e interesuara (p.sh. partitë politike, zyrtarët lokalë, komuniteti i ekspertëve, mediat).
Të gjitha aktivitetet duhet të zhvillohen në Shqipëri.
Afati kohor i projektit është maksimumi gjashtë muaj.
Buxheti i përgjithshëm për programin është 27.500 euro. Siç është paraparë në Program, Instituti Shqiptar i Medias (ISHM) do të mbështesë 5 projekte, ndërsa grantet individuale do të variojnë nga 3.000 EUR deri në 8.000 EUR.
OShC-të që i përgjigjen kësaj thirrjeje duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
• të jenë të regjistruara në Gjykatë dhe të kenë shlyer të gjitha detyrimet ligjore;
• të kenë përvojë në fushën e diversitetit dhe/ose gjuhës së urrejtjes;
• të jenë drejtpërdrejte përgjegjëse për përgatitjen dhe menaxhimin e projektit;
• të mos kenë një llogari bankare të bllokuar;
• të mos jenë përfituese të fondeve të Programit të Komisionit Evropian për Shoqërinë Civile dhe Media 2018-2019 (CIVIL SOCIETY FACILITY AND MEDIA PROGRAMME 2018-2019), zërat e buxhetit: BGUE-B2018-22.020401 dhe BGUE-B2019-22.020401
• Organizatat mund të paraqesin vetëm një projekt-propozim sipas këtij Programi si aplikant ose si partner
Mirëpresim aplikime nga lloje të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile: organizata grassroots, organizata anëtare të rrjeteve në shkallë më të gjerë që veprojnë në nivel kombëtar ose rajonal, media të themeluara si OShC etj.
Partneriteti me mediat vendase do të konsiderohet si një avantazh dhe do të sigurojë pikë shtesë.
Një trajnim njëditor mbi rregullat dhe procedurat për zbatimin e granteve të BE-së do të organizohet për përfituesit e përzgjedhur të granteve. Trajnimi do të përfshijë tema të tilla si: menaxhimi i projektit, rregullat e vizibilitetit, raportimi financiar, etj.
Gjithashtu, OShC-ve të përzgjedhura do t’u sigurohet mbështetje mentorimi për t’i ndihmuar ato në kryerjen e fushatave mediatike kreative për të rritur ndërgjegjësimin e publikut si dhe në menaxhimin e aktiviteteve të projektit.
Ftojmë të gjitha organizatat e interesuara të plotësojnë formularin e aplikimit si dhe formularin e buxhetit. Aplikimi duhet plotësuar në anglisht.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimit është: 21 shkurt, ora 17:00.
Ju lutemi dorëzoni aplikimet tuaja në: d.hysa@institutemedia.org
Nëse keni pyetje shtesë, ju lutemi kontaktoni d.hysa@institutemedia.org (Dorentina Hysa) deri më 7 shkurt.
Kriteret e vlerësimit:
1) Përputhja e propozimit në lidhje me objektivat e Thirrjes për Propozime dhe rëndësia e propozimit në përmbushjen e nevojave të grupeve të synuara; (30 pikë)
2) Efektiviteti dhe realizueshmëria e aksionit – lidhje të qartë dhe konsistencë ndërmjet objektivave, rezultateve të parashikuara, aktiviteteve të propozuara dhe strategjisë; (20 pikë)
3) Kapaciteti financiar dhe operacional për të ndërmarrë aktivitetet e propozuara në mënyrë autonome – do të duhet të vërtetohet një nivel elementar i kapacitetit organizativ dhe menaxherial; (20 pikë)
4) Ndikimi dhe përfshirja e palëve të interesuara – propozimet duhet të jenë të realizueshme dhe treguesit duhet të jenë objektivisht të verifikueshëm (numri i qytetarëve që do të përfshihen në veprim); (10 pikë)
5) Përfshirja e grupeve vulnerabël dhe e çështjeve gjinore – propozimet duhet të marrin parasysh nevojat e grupeve vulnerabël; (5 pikë)
6) Qëndrueshmëria – propozimet duhet të tregojnë qartë se si do të jenë të qëndrueshëm pas përfundimit të veprimit. (5 pikë)
7) Buxheti dhe efektiviteti i kostos së veprimit – raporti ndërmjet kostos së parashikuar dhe rezultateve të pritura duhet të jetë i kënaqshëm (10 pikë)
Komisioni i Vlerësimit do t’i kushtojë vëmendje diversitetit gjeografik dhe tematik të granteve duke respektuar parimet e mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirjes.
Shënim: Instituti Shqiptar i Medias mund të kërkojë dokumentacion shtesë jo më vonë se tetë ditë pas marrjes së projekt-propozimit.
Aplikimet do të shqyrtohen nga një Komision i pavarur ekspertësh nga rajoni.
