CESA shpall thirrjen e dytë për ese me temë “Tradita që dua të thyej”, e cila fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat e grupmoshës 15 – 25 vjeç të dërgojnë shkrimet e tyre pranë organizatës në adresën: cesa.coordination@gmail.com , deri me datë 30 Tetor 2023, ora 23:59.
Thirrja “Tradita që dua të thyej” vjen për herë të dytë, për t`iu dhënë mundësi të rinjve që të adresojnë tradita që shkelin disa prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si edhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e shoqërive.
Ne ju ftojmë që të ndani me ne traditat që doni të thyeni nëpërmjet kësaj thirrje dhe të jepni argumentet tuaja se pse dëshironi ta adresoni si traditë, pse është e dëmshme dhe cilat janë pasojat negative që sjell kjo traditë për individin dhe shoqërinë dhe si do sillnit ndryshimin social.
Adresimi i traditave të dëmshme si për shembull, që gratë dhe vajzat nuk duhet të arsimohen, ose që punët e shtëpisë janë punë grash, që Kanuni dhe ligje të mëparshme gjejnë zbatim edhe në ditët e sotme, e të tjera si këto, nga të rinjtë është një hap shumë i rëndësishëm për të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Tradita të tilla të ushqyera ndër vite bëhen pengesë për një zhvillim të shëndetshëm të individëve, familjeve dhe komuniteteve.
Nëpërmjet shkrimit, ne inkurajojmë të rinjtë që të ngrenë zërin për të thyer tradita që janë të dëmshme dhe penguese për vetëaktulaizimin dhe fuqizimin e tyre.
Kriteret e pranimit të shkrimit:
eseja duhet të jetë argumentuese;
në formatin WORD;
gjatësia e saj 800-1500 fjalë;
shkrimi “Times New Roman”;
madhësia e shkrimit 12 dhe hapësira mes rreshtave 1.5.
Do të përzgjidhen të gjitha esetë që plotësojnë kriteret e mësipërme dhe do të publikohen në rrjetet sociale. CESA do të vlerësojë tri esetë më të mira duke dhënë për secilen nga një çmim simbolik.
