Në epokën digjitale, transparenca në gazetari ka rëndësi thelbësore për të ruajtur besimin e publikut. Dita ditës, teknologjitë e inteligjencës artificiale (IA) po përhapen gjithnjë e më shumë nëpër redaksitë e lajmeve. Për pasojë, është thelbësore që mediat të komunikojnë qartë se si po përdoren këto teknologji. IA ka potencialin ta revolucionarizojë gazetarinë, duke filluar nga shkrimi i artikujve e deri tek analizimi i sasive shumë të mëdha të informacionit. Megjithatë, përdorimi i IA duhet të jetë plotësisht transparent që besimi i publikut të mos minohet.
Transparenca në përdorimin e IA fillon duke pohuar haptas rolin që këto teknologji luajnë në prodhimin e lajmeve. Për shembull, nëse një sistem IA është përdorur për të prodhuar një lajm, redaksia duhet ta informojnë lexuesin se ai lajm u shkrua ose pati ndihmën e IA. Po ashtu, nëse algoritmet IA përdoren për të përzgjedhur përmbajtjen në një faqe interneti ose një platformë mediatike, publikut i duhet bërë e qartë se si funksionojnë ato algoritme. Nga ana tjetër, kur këto procese mbahen të fshehta, lind shqetësimi për manipulim dhe kontroll mbi informacionin që i përcillet publikut.
Jemi të vetëdijshëm se IA përdoret për të grumbulluar të dhëna dhe për të personalizuar përmbajtjen që i ofrohet lexuesit. Sistemet IA ndjekin sjelljen e përdoruesve për të krijuar një përvojë më personale; kjo sigurisht mund të krijojë përvojë më të mirë të lexuesit, por mund të shkaktojë edhe shqetësime të lidhura me privatësinë. Gazetarët dhe mediat duhet të bëjnë të qartë se si mblidhen të dhënat dhe si përdoren ato për t’i dhënë formë përmbajtjes që përdoruesit e medias shohin. Nëse media bën transparencë dhe edukon publikun se si funksionon IA, atëherë ajo ndihmon për të ruajtur besimin tek media dhe siguron që teknologjia nuk përdoret për t’ia “hedhur” publikut.
Media mund të luajë një rol jo të vogël për ndërgjegjësimin publik duke ia paraqitur haptas ndjekësve si përfitimet, ashtu edhe kufizimet e mundshme që paraqesin teknologjitë dhe IA. Sa më shumë të edukohen për funksionimin e IA, aq më shumë lexuesit bëhen përdorues të kujdesshëm të lajmeve si dhe aftësohen që ta vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin që u paraqitet. Kur mediat janë të hapura për përdorimin e IA dhe sigurojnë ndërgjegjësimin e publikut, kjo ndihmon në ndërtimin e besimit si në teknologji, ashtu edhe në lajmet e publikuara.