Sezoni turistik veror është i shumëpritur nga të gjithë, veçanërisht pas këtyre dy viteve sfiduese të pandemisë COVID-19. Shumëkush pret të eksplorojë vende të reja, si edhe të kalojë pushime të qeta. Një ndër destinacionet turistike tërheqëse për pushimet verore është edhe Shqipëria.
Turistë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe nga Serbia, zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Numri i vizitorëve, apo pushuesve nga Serbia në Shqipëri ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Media të ndryshme në Shqipëri, po ashtu edhe në Serbi, e reflektojnë këtë rritje vizitorësh në raportimet e tyre, ndonëse statistika zyrtare nuk janë ende të disponueshme për publikun e gjerë.
Ekipi i Rrjetit për Raportimin e Diversitetit 2.0 ka monitoruar median tradicionale dhe sociale gjatë muajit korrik 2021 dhe ka vërejtur se narrativat pozitive kanë mbizotëruar. Këto narrativa përfshijnë ndarjen e përvojave pozitive të turistëve serbë në Shqipëri dhe përvojat e sektorit shqiptar me turistët serbë. Shkrimi më i fundit që e vërteton këtë qëndrim pozitiv mund të lexohet këtu. Nga ana tjetër, media apo agjenci turistike serbe e promovojnë turizmin në Shqipëri, si edhe e nxisin atë. Ajo çfarë vlen për t’u theksuar është që përpjekjet për uljen e tensioneve etnike mes dy vendeve, veçanërisht lidhur me lëvizjen e lirë për turizëm, janë të dyanshme. Këto narrativa pozitive i shërbejnë popujve të të dy vendeve për të pasur mundësinë e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, veçanërisht për turizëm.
Megjithatë, narrativat pozitive nuk janë të vetmet që janë prezente në media. Ndonëse në numër më të vogel, narrativat negative që nxisin gjuhën e urrejtjes etnike mes dy popujve kanë gjetur hapësirë mediatike. Një nga këto raste është thirrja e deputetit serb, Dragan Markovic, drejtuesi i partisë “Serbia e Bashkuar,” ndaj qytetarëve të tij që “të mos kalojnë pushimet në Shqipëri,” në vendin që “nxiti gjithçka që shqiptarët e Kosovës u bënë serbëve”. Rast tjetër i ngjashëm ku, përveç figurave politike, edhe media ndjek të njëjtën logjikë të shtrembërimit të ngjarjeve historike mes shqiptarëve dhe serbëve, është artikulli i publikuar nga RTS, ku mes të tjerave u kujton serbëve të mos harrojnë “Golgothën Shqiptare ku vdiqën më shumë sesa 70.000 ushtarë serbë”. Theksojmë se deklarata të tilla nuk e përmirësojnë aspak situatën mes dy vendeve dhe shërbejnë si provokime dhe nxitës së gjuhës së urrjejtjes etnike mes dy popujve, sidomos kur vijnë nga figura apo institucione të tilla me influencë.
Prania e gjuhës së urrejtjes është vërejtur edhe në portalet online në Shqipëri, ku komentuesit kanë përdorur një gjuhë të rëndë, të mbushur me sharje dhe fyerje që kanë bazë etnike. Artikujt që adresojnë çështje të turistëve serbë që vijnë në Shqipëri, ndonëse vetë nuk përmbajnë gjuhë urrejtjeje në komentet qe i shoqerojne, nuk shmangin përdorimin e saj nga ana e lexuesve. I referohemi këtu ne menyre te vecante artikullit që adresonte një incident te ndodhur në Durrës. Mësohet se fillimisht ka qenë Gazeta “Metro,” ajo që e ka publikuar këtë incident duke u bazuar tek fotot që i ka dërguar një lexues.
Nenvizojmë se bazuar në Kodin e Etikës, media në asnjë rast nuk duhet të publikojë përmbajtje pa i verifikuar ato, si edhe thjesht duke u bazuar në spekulime. Pasojat e papergjegjshmerisë së cilitdo, me qëllim apo jo, i vuajnë së pari subjektet që aktivitetin e tyre ekonomik e bazojnë tek turizmi, e së dyti të gjithë te tjerët që ekspozohen në këtë mjedis negativ. Media, hapësirën publike që i është dhënë, është e udhës që ta përdorë në dobi të publikut, e jo në favor të interesave të ngushta të politikës përçarëse.
Turizmi është një nga ata sektorë tek të cilët dallimet etnike nuk duhet të përdoren si mjet për të arritur qëllime të caktuara politike. Është sektori nëpërmjet të cilit të lejohet të njohësh tjetrin duke qenë vetvetja. Media ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe këtë rol duhet ta luajë me profesionalizëm dhe pergjegjshmëri, gjithmonë duke reflektuar realitetin.