Interneti ka sjellë një ndihmë të pazëvendësueshme në punën e gazetarëve dhe gazetareve. Por ka sjellë edhe atë që tekstet, komentet, analizat, videot dhe historitë e tjera gazetareske të komentohen anonimishtdhe shpesh të shoqërohen me kërcënime, gjuhë urrejtjeje, presione, diskriminim. Edhe pse nuk ka të dhëna apo monitorime për sulmet online ndaj gazetarëve në Shqipëri, është e lehtë që të gjithë përdoruesit e medias online dhe rrjeteve sociale të përballen rëndom me fyerje, sharje e kërcënime, dhe ata që botojnë artikuj apo drejtojnë emisione janë ndër shënjestrat më të shpeshta të këtij komunikimi online, edhe pse, siç ndodh rëndom, këto sulme shpesh nuk merren shumë seriozisht. Pikërisht për këtë arsye lindi manuali, i konceptuar fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe pastaj i përshtatur në të gjitha vendet e rajonit, të cilat kanë një problematikë të ngjashme në këtë aspekt.
Ky manual iu ofron gazetarëve këshilla dhe udhëzime se si të dallojnë e të reagojnë ndaj sulmeve online. Udhëzuesi përmes kuadrit ligjor ekzistues mund t’iu vijë në ndihmë gazetarëve për t’u përballuar me dhunën online në të gjitha format që shfaqet. Po kështu udhëzuesi ka për qëllim të mbushë dhe një boshllëk edhe për faktin se shpesh mungon përkrahja e redaktorit dhe e redaksisë ku gazetari punon për shkak të mendimit mbizotërues se ajo çka është online i përket një bote virtual dhe se nuk përçohet në botën reale. Ndër hapat e parë është ai i ndërgjegjësimit përkundrejt këtij problem.